Eksperienca e Diego Armando Maradonës në Dubai ka përfunduar pas pak më shumë se një viti. “El Pibe De Oro” dhe stafi i tij janë shkarkuar mbrëmë nga klubi i Emirateve të Bashkuara Arabe, Al-Uasl.
Ky është një vendim i pabesueshëm edhe për faktin se vetëm një muaj më parë, presidenti i ri i skuadrës, Mohamed Ben Fahd, e kishte konfirmuar argjentinasin për një tjetër vit në drejtimin e saj.
Por duket se vendimi është marrë pasi shpenzimet e Maradonës po tejkalonin ndjeshëm arritjet sportive, me Al-Uasl që e mbylli kampionatin në vendin e 8-të. Argjentinasi kishte një rrogë bazë prej 5.5 milionë eurosh në vit, ndërsa përfitonte edhe shumë benefite të tjera, mes të cilëve një avion privat me të cilin udhëtonte shpesh drejt Evropës.
Ironikisht, Al-Uasl ka vendosur që vendimin ta bëjë të njohur nëpërmjet Twitter, rrjetit social ku Maradona është “prenotuar” pasi poston rregullisht për tifozët e tij.
“Këshilli administrativ ka vendosur në mbledhjen e tij të prishë kontratën me stafin teknik të skuadrës, të drejtuar nga trajneri argjentinas Diego Arando Maradona”, shkruhet në këtë lajmërim.
Por trajneri argjentinas ka adhurues të shumtë në Lindjen e Mesme dhe pritet që klube të tjera arabe të interesohen për të dhe t’i ofrojnë postin e trajnerit për sezonin e ardhshëm.
Pjesa më e madhe e interesimit nuk vjen nga cilësia e tij si trajner, por nga publiciteti falas që i bën ai klubit duke qenë një person shumë i famshëm që ndiqet rregullisht nga mediat botërore. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 11 July 2012 08:40