Kuotat e aksioneve të Muhamar Gedafit në klubin e Juventusit i kanë kaluar zyrtarisht në administrim Gjykatës së Hagës me të cilat do të shpërblehen viktimat e luftës civile në Libi.
Guardia di Finanza në Romë ka bllokuar prona dhe asete ne vlerë 1 miliardë e 100 milionë euro që i përkitnin familjes Gedafi, pas kërkesës së bërë nga Gjykata e Krimeve të Luftës në Hagë. Aty përfshihen të mira materiale, kuota aksionesh në komani të ndryshme dhe llogari bankare të anëtarëve të familjes së tij.
Familja Gedafi zotëronte zyrtarisht rreth 7.5% të aksioneve të Juventus, nëpërmjet kompanisë “Libyan Arab Foreign Investment Co” dhe që menaxhoheshin nga djali i tij, Al Saadi, një tifoz i zjarrtë i bardhezinjve. Meqenëse skuadra e Juventus kuotohet në bursë, për momenti aksionet e saj janë ngrirë, në mënyrë që të mos pësojë humbje për shkak të kësaj ngjarje të fundit.
Gjykata e Hagës do të marrë në administrim të gjitha këta të mira materiale, aksione kompanish dhe llogari bankare të familjes Gedafi, për shkak të çështjes penale të hapur kundër tij dhe pjesëtarëve të familjes së tij për krime lufte. Nëpërmjet likuidimit të aseteve të familjes Gedafi do të shpërblehen familjet e viktimave që ka prodhuar regjimi i tij diktatorial në këtë vend.
Me pak fjalë, aktualisht 7.5 % e Juventusit mund të cilësohet se i përket të gjithë popullit libian që ka vuajtur nën regjimin e Gedafit për dhjetëra vite më radhë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 29 March 2012 17:21