Ylli brazilian Ronaldinjo ka shpëtuar mirë pa dëmtime pasi u përfshi në një aksident automobilistik, ku makina e tij u përplas me një kamion dhe një autoveturë tjetër.
Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, kur ai po shkonte në stërvitjen e skuadrës së tij, Atletiko Mineiro, me makinën tip Porshe, ndërsa në aksident janë përfshirë edhe dy mjetet e tjera automobilistike, por nuk është mësuar ende se cili prej tyre ishte shkaktar i aksidentit.
Vetë futbollisti brazilian ka shpëtuar pa dëmtime, i mbrojtur nga rripi i sigurimit dhe airbag në makinë, ndërsa pasagjerja e tij, një femër e paidentifikuar ende nga mediat braziliane, ka pësuar dëmtime të lehta dhe nuk ka patur nevojë për kurat mjekësore. Ndërkohë, një nga shoferët e dy automjeteve të tjera ka përfunduar në urgjencë, pasi mendohet se ka marrë plagë më seriozë për shkak të përplasjes.
Futbollisti nuk ka munguar as në stërvitjen e skuadrës së tij, pasi fatmirësisht për të, në atë rrugë pas disa minutash ka kaluar shoku i skuadrës, Xho, i cili e ka shoqëruar në makinën e tij. Sipas asaj që është mësuar nga mediat vendase, Ronaldinjo nuk do të mungojë në ndeshjen e fundjavës që skuadra e tij luan përballë Koritiba. (LajmeShqip.com)
Friday, 02 November 2012 09:38