Mançester Siti konfirmoi se Serxhio Aguero ka zgjatur marrëveshjen e tij ekzistuese me klubin deri në vitin 2017. Sulmuesi argjentinas përflitej se do të kalonte të Real Madrid, pas një sezoni ku kishte shfaqur vështirësi të mëdha me formën, duke shënuar vetëm 17 gola, shumë pak në krahasim me 29 të shënuar në edicionin e mëparshëm.
“Jam shumë i lumtur te Siti dhe e ndjej veten shumë të vlerësuar. Janë bërë më pak se dy vite që kam ardhur këtu dhe shpesh ndjej sikur kam qenë pjesë e klubit gjatë të gjithë jetës sime. Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me tifozët dhe më kujtohet gjithmonë ai gol kundër QPR që na dha titullin. Tani pres me padurim sezonin tjetër dhe mundësinë për të rifituar atë trofe”, ishin fjalët e Agueros i cili në ndeshjen ndaj londinezëve një vit më parë, shënoi në kohën shtesë golin që i dha titullin kampion Mançester Sitit.
Aguero bëhet lojtari i katërt i Mançester Sitit që lidh të ardhmen e tij me klubin gjatë muajve të fundit, pasi më parë kanë qenë Jaja Ture, David Silva dhe Gael Klishi që kanë rinovuar kontratat e tyre afatgjata. (LajmeShqip.com)
Sunday, 26 May 2013 09:58