Serxho Aguero nuk ka dyshime kush është sulmuesi më i mirë në botë aktualisht. Ai nuk ka ngurruar të tregojë preferencën e tij për Lionel Mesin, një mik i ngushtë personal, gjatë një bashkëbisedimi që është bërë në Twitter me tifozët anglezë nëpërmjet adresës së klubit.
“Cilët janë 3 sulmuesit më të mirë për momentin? Mesi, Mesi… dhe Mesi!”, ishte përgjigja e sinqertë e futbollistit argjentinas që ka treguar në këtë mënyrë të gjithë adhurimin për shokun e tij të skuadrës në kombëtare.
Më pas, ai është detyruar të tregojë edhe alternativat e tjera përveç yllit të Barcelonës, duke zgjedhur dy futbollistë që për arsye merkatoje, mund të bëhen kolegët e tij në repartin e avancuar.
“Nëse më duhet të zgjedh të tjerë them Van Persi dhe… Ronaldo”, ka treguar argjentinasi. Holandezi mund të bëhet shumë shpejt partneri i tij në sulm nëse vendos të transferohet te Mançester Siti nga radhët e Arsenalit, ashtu siç përflitet prej shumë kohësh.
Ndërsa me portugezin ai mund të formojë dyshen e sulmit te Real Madrid, i cili është interesuar për të që prej vitit të kaluar dhe sheh me interes çdo mundësi që do t’i jepet për të blerë Agueron në të ardhmen. (LajmeShqip.com)
Friday, 13 July 2012 12:31