Real Madrid ka kthyer Serxho Agueron në objektivin kryesor të merkatos dhe për këtë arsye po përgatit strategjinë për të siguruar shërbimet e sulmuesit gjatë merkatos së verës. Sipas gazetës spanjolle “As”, Zhoze Murinjo ka shprehur gatishmërinë që të ndërrojë “El Kun” me Gonzalo Higuain plus 10 milionë euro, një marrëveshje që do të miratohej pa problem nga klubi.
Vetë futbollisti i Mançester Sitit është prej shumë muajsh në dijeni të interesimit të Real Madrid dhe tërhiqet nga ideja për të veshur fanellën e kësaj skuadre. Për më tepër, ai ia ka shprehur edhe shokëve të skuadrës dëshirën e tij për të veshur një ditë fanellën e madrilenëve, duke lënë të kuptohet se do t’i përgjigjej pozitivisht kërkesës për t’u kthyer në Spanjë.
Aguero u ble nga Mançester Siti për 45 milionë euro nga Atletiko Madrid gjatë verës së kaluar, kur ai kërkohej edhe nga Real Madrid, por zgjodhi që të mos shkonte direkt te rivalët e urryer të ish-klubit të tij. Sezoni i tij i parë në Angli ka qenë mëse i mirë, pasi ai ka shënuar 17 gola në kampionat dhe ka qenë protagonist kryesor në ecurinë e skuadrës që lufton për titull.
Por sipas mediave spanjolle, ai nuk është i lumtur me jetën në Angli, pasi nuk është mësuar me stilin britanik të jetesës dhe për këtë arsye nuk do të refuzonte kthimin në një vend dhe për më tepër një qytet që e njeh mjaft mirë.
Mbetet për t’u parë gatishmëria e argjentinasit tjetër, Gonzalo Higuain, për t’u transferuar në radhët e Mançester Sitit, pasi lojtari ka vendosur që vetëm në fund të këtij sezoni të ulet dhe të shohë me qetësi të gjitha opsionet që i vihen përpara. Të interesuara për të siguruar shërbimet e tij janë edhe Çelsi, PSZH, Juventus e Malaga. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 April 2012 11:01