Sulmuesi i Mançester Sitit, Serxho Aguero, i ka kërkuar falje mbrojtësit të Çelsit, David Luiz, pas një ndërhyrje të rëndë që bëri ndaj brazilianit gjatë ndeshjes gjysmëfinale të Kupës FA mes skuadrave të luajtur të dielën në stadiumin “Uembli”.
Aguero bëri një ndërhyrje shumë të rëndë para fundit të ndeshjes të përfunduar 2-1 për ekipin e tij, por nuk u ndëshkua me karton nga gjyqtari i takimit. Pas përfundimit të 90 minutave, David Luiz i kërkoi argjentinasit që t’i kërkonte falje për atë veprim, ndërsa ky i fundit zgjodhi Twitterin për ta bërë një gjë të tillë.
“Kam kontaktuar me David Luiz dhe i kam kërkuar falje për atë që ndodhi gjatë ndeshjes. Ai ishte një reagim i momentit që nuk duhej të kishte ndodhur”, ishte “cicërima” e publikuar nga Aguero.
Pak minuta më vonë, në të njëjtin rrjet social ka ardhur edhe përgjigja e David Luiz.
“Faleminderit që tregove karakter. Në këtë mënyrë njihen njerëzit dhe sportistët e mëdhenj”, ishin fjalët e mbrojtësit brazilian.
Federata Angleze vendosi të mos ndëshkonte me provë televizive Agueron për ngjarjen në fjalë, pasi gjyqtari i ndeshjes nuk kishte dhënë karton, por të paktën kishte dhënë faull në favor të Çelsit, ndaj sipas rregullores, veprimi nuk kishte kaluar pa u ndëshkuar në një mënyrë apo një tjetër. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 17 April 2013 10:26