Agim Cana, babai dhe njëkohësisht menaxheri i Lorik Canës, ka hedhur poshtë zërat e shfaqur në media gjatë ditëve të fundit rreth kontakteve të avancuara mes tij dhe përfaqësuesve të Fenerbahçe apo Hamburg, të cilat interesohen për mesfushorin shqiptar. Sipas tij, kapiteni i kombëtares shqiptare i ka vënë vetes si objektiv të qëndrojë te Lacio.
“Kam lexuar kohët e fundit rreth zërave të merkatos që flasin për djalin tim, por mund të them se nuk ka pasur asnjë kontakt deri tani. Hamburgu dhe Fenerbahçe janë dy klube të mëdha në nivel evropian, por për momentin bëhet fjalë vetëm për thashetheme. Nuk e përjashtoj interesimin e dy klubeve për të, por Loriku i ka vënë vetes një objektiv te Lacio”.
“Ai dëshiron që të shfaqet sa më mirë me fanellën bardhekaltër. Ka një kontratë deri në vitin 2016 dhe qëllimi i tij është të qëndrojë sa më gjatë në Romë për të veshur fanellën e Lacios. Është ende shumë shpejt për të folur rreth të ardhmes, por duket e vështirë që të largohet, pasi është mirë këtu dhe nuk ka arsye pse të iki. Ai jep gjithmonë maksimumin, ka personalitet dhe për këtë arsye ka fituar besimin e trajnerit Petkoviç dhe tifozëve të skuadrës”, deklaroi ai rreth mesfushorit 29 vjeçar që te Lacio dhe kombëtarja shqiptare e futbollit tashmë është kthyer në një qendërmbrojtës të mirëfilltë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 16 April 2013 09:58