Afrika e Jugut është mashtruar duke lejuar një grup manipuluesish rezultatesh nga Azia të caktonte gjyqtarët për ndeshjet e saj miqësore para Botërorit 2010. Lajmi mbi manipulimin e mundshëm të këtyre ndeshjeve u bë i ditur nga vetë shefi i sigurisë i FIFA-s, Kris Iton, i cili bëri një bilanc të hetimit gjatë vizitës që zhvilloi në Johanesburg për këtë çështje.
Sipas raportit zyrtar, FIFA i cilëson të dyshimta ndeshjet e Afrikës së Jugut kundër Tailandës, Kolumbisë, Bullgarisë dhe Guatemalës vetëm pak javë para fillimit të aktivitetit, pasi u zbulua se federata e vendit organizator të Botërorit i kishte dhënë Uilson Perumal të drejtën të zgjidhte gjyqtarët. Ky i fundit aktualisht është i dënuar në Finlandë për trukime ndeshjesh nëpërmjet një grupi bastvënësish aziatikë.
FIFA nuk dyshon të federata e Afrikës së Jugut apo te vetë pjesëtarë te skuadrës, pasi Perumal kishte siguruar gjyqtarë ndërkombëtarë për ndeshjet, duke i marrë ata nga Kenia, Niger dhe Togo.
Afrka e Jugut fitoi 2 penallti të diskutueshme në fitoren 2-1 ndaj Kolumbisë, të luajtur me 27 maj 2010. Një prej këtyre penalltive u përsërit për herë të tretë pasi dy tentativat e para ishin gabuar. Edhe goli i Kolumbisë në këtë ndeshje erdhi me 11 metërsh.
Katër ditë më vonë, një fitore 5-0 ndaj Guatemalës u karakterizua nga 2 penallti të tjera të dhëna në favor të Afrikës së Jugut. (LajmeShqip.com)
Monday, 05 March 2012 21:14