Menaxheri i Ibrahim Afellai ka konfirmuar se lojtari i përfaqësueses holandeze po kërkon një skuadër që ta marrë në formë huazimi nga Barcelona. Lojtari nuk bën pjesë në planet e katalanasve dhe ka ndjekur nga tribuna ndeshjen e fundjavës ku ekipi i tij fitoi 2-1 ndaj Osasunas.
Menaxheri Rob Jansen, mendon se huazimi do t’i bëjë mirë futbollistit që dëshiron të luajë rregullisht me një skuadër tjetër.
“Ai i ka të gjitha cilësitë që duhen për të shkëlqyer te Barcelona, por pati përsëritje të dëmtimit të tij. Ndaj mund të jetë më mirë që të fitojë më tepër kohë loje në një skuadër tjetër. Ne aktualisht jemi në procesin e vëzhgimit të mundësive të tjera”, tha Jansen për “Studio Voetbal”.
“Po flasim për një marrëveshje huazimi, edhe pse gjithçka varet nga vetë Barcelona. Janë ata që vendosin se ku shkojnë lojtarët e tyre. Por ju konfirmoj se ka një numër konkret klubesh të interesuara me të, me të cilat jemi në bisedime”, tha ai.
Afellai iu bashkua Barcelonës në janarin e vitit 2011, por një dëmtim në gju nuk e lejoi të bëhej protagonist në sezonin e kaluar. Holandezi iu ofrua si Interit, ashtu edhe Arsenalit nga Barcelona, por asnjë prej këtyre dy klubeve nuk ishte i gatshëm të firmoste me lojtarin. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 28 August 2012 11:40