Adriano po bën maksimumin e mundshëm për të mbyllur përfundimisht karrierën e tij si futbollist, pasi ka munguar për herën e dytë radhazi në stërvitjen e Flamengos. Për më tepër, sulmuesi brazilian i ka dërguar trajnerit Zinjo thjesht një SMS ku i tregonte se nuk shkonte atë ditë në stërvitje, pa hyrë në detaje. Kjo situatë rrezikon të ardhmen e tij në ekipin brazilian, pasi sulmuesi është paralajmëruar se do të përjashtohet nëse nuk tregon rregullsi në seancat stërvitore.
Dje sulmuesi duhej të paraqitej në stërvitjen e orës 9.30 për të qenë përkrah shokëve të skuadrës, duke vazhduar riaftësimin nga operacioni në kavilje. Por pak minuta para fillimit të stërvitjes, trajnerit Zinjo i ka mbërritur një SMS nga sulmuesi që e lajmëronte se nuk do të vinte në kohë në stërvitje. Drejtuesit e skuadrës menduan se të paktën ai do të vinte me vonese, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe Adriano nuk u shfaq dje në klub, ndërsa as nuk i telefonoi atyre por të shpjeguar arsyet e kësaj mungese.
Kjo bëri që trajneri Zinjo të deklaronte publikisht që sjellja e Adianos do të shqyrtohej të hënën, pas takimit të rëndësishëm me Fluminensen.
“Për momentin nuk më shqetëson mungesa e tij. Ai nuk erdhi në stërvitje, hera e dytë që e bën një gjë të tillë, por më parë duhet të marrim vesh se çfarë ka ndodhur. Do të diskutoj me stafin pas ndeshjes dhe me lojtarin, pastaj do të marrim një vendim. Por tani duhet të përqendrohemi në ndeshje, duhet të merrem me lojtarët që janë këtu, që janë pjesë e ekipit”, tha ai, duke lënë të kuptohet se nuk është për t’u hedhur poshtë ideja e përjashtimit të lojtarit.
Vetë Adriano pranoi pak kohë më parë se nënshkrimi i tij me Flamengon ishte shansi i fundit që i jepej si futbollist, e nëse gabonte edhe këtë herë, karriera e tij kishte përfunduar. (LajmeShqip.com)
Sunday, 30 September 2012 18:10