Prezantimi i Adrianos si futbollisti i ri i Flamengos, ka bërë që të lindin shumë dyshime mbi zbatimin e marrëveshjes mes palëve, pasi sulmuesi është paraqitur në një formë shumë larg asaj që pretendohet për një futbollist.
Lojtari ishte dukshëm mbipeshë, shumë më tepër se sa kur ishte te Korinthians dhe aktivizohej me këtë skuadër. Por një situatë e tillë duket se nuk shqetëson vetë lojtarin i cili premton se do të shfrytëzojë në maksimum atë që është ndoshta mundësia e tij e fundit në futbollin profesionist.
“Kjo është mundësia ime e fundit, e di që është e tillë”, ishin fjalët e lojtarit në konferencën e organizuar përkrah presidentes së Flamengos, Patricia Amorim, që i ka dorëzuar atij fanellën me numrin 10, të cilën deri pak muaj më parë e mbante veshur Ronaldinjo.
“Në dy vitet e fundit jam menduar shumë nëse ia vlente të vazhdoja apo duhej të braktisja futbollin. Tifozët më kërkonin të largohesha, por mendova të merrja përsipër përgjegjësi dhe Flamengo dëshiron të më ndihmojë. Tani gjithçka varet nga vetë unë”, tha lojtari i cili premton se do të bëjë maksimumin për skuadrën e re, por edhe për të realizuar ëndrrën që të kthehet në kombëtaren braziliane të futbollit.
“Ëndrra e çdo futbollisti është të luajë në një Botëror që organizohet në vendin e tij. Duhet të kaloj disa etapa dhe të përforcohem që të kthehem sa më shpejt ai që kam qenë, duke i marrë gjërat me më shumë seriozitet. Kjo është ëndrra ime, të shkoj përsëri në kombëtaren braziliane. E kuptoj që aktualisht është një ëndërr e largët, por do të bëj maksimumin për t’u kthyer Adriano i të kaluarës”, tha lojtari, pa sqaruar nëse e kishte për golat e shënuar apo për problemet jashtë fushës së lojës, që kanë qenë po aq sa rrjetat e tundura në karrierën e tij. (LajmeShqip.com)
Thursday, 23 August 2012 13:20