Totenhem më në fund ka gjetur marrëveshjen me Mançester Sitin rreth kalimit përfundimtar të Emanuel Adebajor në radhët e skuadrës londineze.
Sulmuesi, i cili vitin e kaluar ishte dhënë në formë huazimi te ky ekip, do të bëjë transferimin përfundimtar pasi dy palët ranë dakort për shifrën 6 milion paund
Ish-lojtari i Arsenalit do të bëhet futbollisti më i paguar në radhët e Totenhem, ndonëse ka pranuar një reduktim të pagës aktuale prej 160 mijë paund në javë që përfitonte nga Mançester Siti.
Adebajor vendosi t’i bashkohej Mançester Sitit në vitin 2009, me këtë klub që pagoi 25 milion paund për ta blerë atë nga Arsenali, ku i mbeteshin edhe 3 vite e gjysmë kontratë. Por me largimin e Mark Hjugs nga ky ekip dhe afrimin e Roberto Mançinit si trajner, ai humb vendin si titullar.
Sulmuesi nga Togo fillimisht u huazua te Real Madrid në vitin 2011, ndërsa gjatë sezonit të kaluar kaloi po në huazim te Totenhem, ku shënoi 18 gola gjatë gjithë edicionit.
Ai mund të cilësohet si blerja e tretë e ekipit që tashmë drejtohet nga Andre Vijas Boas, i cili ka siguruar edhe firmat e Jan Vertongen dhe Gylfi Sigurdson. (LajmeShqip.com)
Friday, 13 July 2012 13:20