Pronari i Çelsit, Roman Abramoviç, është takuar me Didier Deshamp dhe synon që të ulë trajnerin francez në stolin e skuadrës së tij.
“Daily Telegraph” bën të ditur se Abramoviç është takuar me Deshamp që dy javë më parë në Paris, ku kanë diskutuar në detaje edhe kushtet e një kontrate të mundshme mes palëve.
Trajneri francez ka qenë në garë edhe më parë për t’u ulur në stolin e skuadrës londineze, por ai pësoi një disfatë të dyfishtë përballë Zhoze Murinjos në vitin 2004. Portugezi, që asokohe drejtonte Porton, e mundi në finalen e Ligës së Kampioneve përballë Monakos që drejtohej pikërisht nga Deshamp, e si rrjedhojë bindi Abramoviç që t’i besonte atij stolin e Çelsit.
Por tani, Abramoviç mendon se në klubin e tij nuk ka më vend për një rikthim të Murinjos, të cilin e shkarkoi nga puna në vitin 2007, ndërsa objektivi i tij kryesor, Pep Guardiola, nuk ka ndërmend të largohet nga Barcelona.
Për këtë arsye, ai ka kthyer sytë nga Deshamp i cili ka treguar se është një fitimtar si me Monakon, ashtu edhe me Juventusin e së fundmi me Marsejën, të cilën arriti ta shpallte kampione të Francës pas shumë vitesh.
Në favor të francezit është edhe fakti se ai njeh mirë klubin londinez pasi ka qenë futbollist i kësaj skuadre në sezonin 1999-2000. (LajmeShqip.com)
Saturday, 07 April 2012 13:22