Erik Abidal vazhdon të tregojë se është një nga “mrekullitë” e mjekësisë në ditët e sotme. Futbollisti francez i Barcelonës, sot ka çuditur të gjithë shokët e skuadrës, duke u shfaqur në aeroport dhe duke u bërë pjesë e delegacionit katalanas, vetëm dy muaj pas transplantimit të mëlçisë.
Abidal, i shoqëruar nga një miku i tij, ka qenë personi i fundit që ka hyrë në avionin me të cilin udhëton Barcelona, mes duartrokitjeve të shokëve të skuadrës që nuk pritnin një surprizë kaq të këndshme. Ai ka përshëndetur me radhë të gjithë futbollistët, ndërsa është ulur përkrah trajnerit Tito Vilanova dhe presidentit Sandro Rosell.
Mbrojtësi i majtë do të jetë i ftuari i nderit në miqësoren e luksit që katalanasit luajnë përballë PSZH, ndërsa vazhdon të jetë efektivisht një futbollist i kësaj skuadre dhe të paguhet nga Barcelona. Lojtari po kalon me sukses një betejë të rëndësishme kundër tumorit dhe çuditi të gjithë fillimisht pasi për dy muaj u riaftësua nga një operacion në mëlçi dhe luajti në finalen e Ligës së Kampioneve, ndërsa tani duke arritur t’i kthehet jetës normale vetëm 2 muaj pasi ka transplantuar plotësisht mëlçinë.
Megjithatë, duket e vështirë për momentin që lojtari të kthehet në fushën e lojës, edhe pse një gjë e tillë ka ndodhur më përpara me kroatin Ivan Klasniç. Ky i fundit ka transplantuar veshkën dhe është kthyer përsëri të luajë në fushat e blerta mes profesionistëve, ndonëse atij iu deshën më shumë se 6 muaj për ta bërë një gjë të tillë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 04 August 2012 13:20