FIER – Pallati i ri i Sportit, i cili do të shtrihet në një sipërfaqe rreth 5000 m2, sipas krybashkiakut të qytetit, Baftjar Zeqaj, do t’i shërbejë gjallërimit të jetës sportive, por mbi të gjitha zbatimi i projektit, do ta kthejë qendrën e Fierit në një zonën më rekreative.
“Ka qënë një kërkesë e kaherëshme, gati imponuese e komunitetit fierak, veçanrisht pjesës së sportit për të ndërtuar një pallat sporti bashkëkohor”, tha Zeqaj.Projekti nuk parashikon thjesht ndërtimin e një pallati sporti modern, por mbi të gjitha një qëndër relaksuese, në përmasat dhe dimensionet e kohës, thotë ai.Pas aprovimit të projektit për ngritjen e një qendre të re sportive, miratuar në fillim të këtij viti nga këshilli bashkiak i qytetit, zbatimi i këtij projekti në terren nisi nga puna mëngjesin e sotëm, kur thikat dhe kovat e ekskavatorëve nisën grryerjen e dherave dhe betoneve të stadiumit të vjetër. Pallati i Sportit, punimet për rindërtimin e të cilit priten të përfundojnë brenda 18 muajsh, sipas kryebashkiakut do të jetë polifunksional dhe do të funksionojë jo vetëm për zhvillimin e lojrave me dorë, por ai do të shërbejë edhe për dhënien e koncerteve dhe spektakleve, për shkak të madhësisë dhe kapacitetit të tij prej 3500 vendesh. Zeqaj pohon se synimet dhe qëllimi i ekzekutivit shkojnë përtej kornizave të një qendre sportive. Projekti, i realizuar nga dy studio prestigjioze italiane, me një vlerë prej 1,5 milion euro, parashikon jo vetëm ngritjen e një qendre sportive të lojrave me dorë, por edhe kthimin e pallatit të sportit në një qendër bashkëkohore dhe shumëdimensionale.
Zeqaj bën të ditur gjithashtu se terrenet e Pallatit të Sportit parashikohen të jenë me gjelbërim, rrugë, parqe dhe ndriçim. Ndërkohë që është parshikuar edhe një sistem i mirëstudiuar i bregut të lumit Gjanicë, si edhe ndërtimi i një ure, e cila do të lidhë qëndrën e qytetit me këtë zonë.
Saturday, 05 November 2011 15:40