Milani do të bëjë këtë sezon pas Antonio Kasanon, i cili pas operimit në zemër do të dojë të paktën gjashtë muaj të rekuperohet. Për këtë arsye, drejtuesit e Milanit janë duke menduar që në merkaton e janarit të marrin një zëvendësues për të.
Emrat janë të shumtë, dhe një pjesë e tyre ndodhen pikërisht në shtëpinë e Juventusit. Bëhet fjalë për Amaurin dhe Tonin, të cilët tashmë nuk bëjnë pjesë në planet e bardhezinjve.
Por, tek kuqezinjtë ka lindur një ide e çmendur, për të transferuar në Milano pikërisht kapitenin legjendar të bardhezinjve, Alesandro Del Piero.
Ky i fundit duket se i ka prishur marrëdhëniet me drejtuesit e Juventusit, pas deklaratës së presidentit Andrea Anjeli, që e përzuri dhunshëm atë, duke thënë se ky është sezoni i fundit i Del Pieros tek Juventusi.
Për më tepër, numri 10 i bardhezinjve është duke u aktivizuar shumë pak nga Antonio Konte, madje në ndeshjet e fundit ka luajtur vetëm minutat e fundit.
Për këtë arsye, Milani, që nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të pasur në ekip Del Pieron, mund të bëjë një tentativë për të marrë.
Megjithatë, mundësitë që ta shohim Del Pieron me fanellën e Milanit janë pothuajse zero, pasi numri 10 vështirë se do të tradhtonte ekipin e vet pikërisht në mbyllje të karrierës.
Friday, 04 November 2011 23:15