UEFA ka gjobitur me 50 mijë euro Shqipërinë për problemet në ndeshjen e 2 shtatorit kundër Francës. Komisioni Disiplinor i UEFA-s ka vendosur këtë sanksion ndaj Federatës Shqiptare, duke qenë se Shqipëria është përsëritëse në incidentet me ndeshjet ndërkombëtare.
Për ndeshjen me Francën, tifozët kanë ndezur fishekzjarre dhe kanë hedhur në fushë sende të forta, një praktikë kjo e patolerueshme nga organet disiplinore të organizimit europian.
FSHF gjobitet për të disatën herë nga Komisionet juridike të UEFA-s, ndërkohë që ajo vetë ka dënuar veprimet e tifozerisë, duke e quajtur një pjesë të saj të papërgjegjshme. Shqipëria humbi 2-1 në ndeshjen me Francën, por sërish në të nuk munguan tymueset e fishekzjarret.
Ndërkohë, në vendimin e Komisionit të Disiplinës nuk flitet për ndeshjen Shqipëri-Rumani, që u ndërpre për dy minuta si rrjedhojë e hedhjes së fishekzjarreve. Ndoshta vendimi për këtë takim mund të vijë më vonë dhe duke parë rëndësinë e ngjarjeve, ai mund të jetë më i rëndë.
Në të shkuarën, Shqipëria është gjobitur disa herë, ndërsa gjoba më shokuese ka qenë ajo prej 18 mijë eurosh për ndeshjen me Danimarkën, ku futbollistët danezë ikën pa larë nga stadiumi për shkak se nuk kishte ujë të ngrohtë.
Wednesday, 02 November 2011 20:26 