Ndalet më në fund Levante. Befasia e këtij fillimsezoni në La Ligën spanjolle ka humbur dje nga Osasuna, duke u zhvendosur kështu nga kreu i tabelës, të cilin e mbajti deri të dielën.
Ndonëse ishte pritur të riktheheshin në krye të tabelës, futbollistëve të Levantes nuk u shkoi për dore një gjë e tillë, pasi pësuan humbje në udhëtim nga Osasuna me rezultat 2:0, e para kjo në sezonin e ri të garave në La Ligën spanjolle.
Golat për vendësit i shënuan Alvaro Sejudo në minutën 40 dhe Nino katër minuta më vonë.
Sejudo në minutën 59 u përjashtua nga takimi për shkak të kartonit të dytë të verdhë, por futbollistët mysafirë nuk arritën të shfrytëzojnë epërsinë numerike në fushë.
Levante në javën e kaluar kishte ardhur në krye të tabelës, por tash ka rënë në vendin e tretë.
Pas dy barazimeve në fillim të kampionatit, lojtarët e Levantes deri në xhiron e dhjetë kanë shënuar shtatë fitore radhazi.
Ekipi i vetëm pa humbje në La liga tash është Barcelona, e cila renditet në pozitën e dytë të tabelës, ndërsa pozitën e lidershipit e mban Real Madrid.
Monday, 31 October 2011 08:40