Që nga viti 2007, sporti më i shpejtë në botë nuk i ka kaluar kufijtë e SHBA-ve. Indianapolis ishte i fundit qytet që mbajti një Çmim të Madh në pistën e tij, por tashmë duket se vendi i madh dhe supermodern do të ketë dy gara.
Nju Xhersi njoftoi se do të ketë Çmimin e Madh të tij në vitin 2013, ndërsa Teksas do të ketë një garë të tillë vitin e ardhshëm.
Njoftimin për këtë garë e bëri guvernatori i qytetit, Kris Kristi, së bashku me kryebashkiakët e Nju Jorkut Perëndimor dhe qytetit më të vogël Uihoukën.
Ideja e Kristit ende nuk është aprovuar nga bosi i Formula 1, Berni Ekëlstoun, por besohet se miratimi do të vijë për shkak se anglezi veteran është një partizan i vjetër i zhvillimit të garave në SHBA, një shtet me potencial të jashtëzakonshëm sportiv dhe komercial.
Ndonëse qyteti Ostin në Teksas do të zhvillojë garën e Formula 1 vitin e ardhshëm, sërish vetëm Nju Xhersi do të bënte që Amerika të ishte në gjendje të konkurronte me Kanadanë fqinjë që ka Çmimin e Madh të Montrealit.
Pista do të jetë e shkëlqyer dhe do të kalojë në brigjet e lumit Hadson. Në të kaluarën, Nju Jorku ka pasur shumë gara të Formula 1, madje cirkuiti Uotkins Glen Internejshënëll ishte vendi i Çmimit të Madh zyrtar të SHBA-ve, por makinat kanë konkurruar edhe në Long Biç në Kaliforni, në Las Vegas, Detroit, Dallas, Feniks dhe së fundmi në Indianapolis.
Wednesday, 26 October 2011 19:09