Tiranë – Këtë javë pritet të zyrtarizohet emri i trajnerit të ri të kombëtares Shqiptare, ndërkohë që Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që Skënder Gega të jetë trajneri i kombëtares U-19 të Shpresave.
Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, tha sot, se trajneri ri i Kombëtares së futbollit do të bëhet publik për të gjithë brenda kësaj jave, ndërkohë, që nuk ka mohuar zërat se kreu i ri i pankinës kuq e zi do të jetë ish-sulmuesi i kombëtares Besnik Hasi.
Ai, gjithashtu bëri me dije se për sa i takon kombëtares së të rinjve U-19, trajneri i ri, i cili do të marrë drejtimin e ekipit, do të jetë Skënder Gega, që do të zërë vendin e lënë bosh nga Artan Bushati.
Kreu i FSHF-së, po ashtu përfitoj nga rasti, të sqaronte detaje mbi largimin e Josip Kuzhes, i cili në një deklaratë për media, kishte deklaruar se “më kërkuan të qëndroj, por unë nuk pranova”. Duka në lidhje me këtë deklaratë, tha se ish- kreut të pankinës Kuq e Zi, nuk i ka kërkuar njeri që të qëndrojë, përkundrazi me të u diskutua çështja e mbylljes së kontratës”.
Wednesday, 26 October 2011 15:30