Skuadra gjermane e Schalkes, e cila bën pjesë në Grupin J, ishte favorite në letër dhe këtë e bëri realitet edhe në fushë kundër Maccabi Haifa, ku fitoi me rezultat 3-1. Golat për skuadrën gjermane i shënoi Fuchs, në minutën e 8 dhe 62, dhe Jurado në minutën e 82, ndërsa golin e nderit për mysafirët e shënoi Verde, në minutën e 35.
Edhe skuadra angleze, Tottenham, e cila bën pjesë në Grupin A, e ka mposhtur me rezultat 3-1 Shamrockun.
Edhe pse mysafirët e Shamrock Rovers kaluan të parët në epërsi, spursat nuk u dorëzuan dhe shënuan tre gola, për t’i fundosur mysafirët.
I pari që hapi serinë e golave ishte Rice, i cili në minutën e 50-të, i shokoi tifozët e Tottenhamit, por nuk shkuan as 10 minuta dhe u kundërpërgjigjen vendasit me anë të Pavlyuschenkos, ndërsa për të ngritur epërsinë në 3-1 u kujdesën Defo dhe Santos.
Golat nga ndeshja Schakle-Maccabi Haifa:
Ndeshje të tjera të rëndësishme ishin edhe ato të skuadrave italiane, Lazio dhe Udinese.
Lazio, e cila bën pjesë në Grupin D, u takua me Sportingun e Lisbonës. Skuadra ku aktivizohet edhe shqiptari Lorik Cana, ka humbur me rezultat 2-1, ndërsa skuadra tjetër italiane, ajo e Udineses, e cila bën pjese në Grupin I, u takua me Celtic, ku të dyja këto u ndanë në paqe, me një barazim 1-1.
Edhe spanjollët e Athletico Madridit, të cilët bëjnë pjese në Grupin I, ende nuk janë këndellur nga humbja që ua shkaktoi Barcelona me rezultat 5-0, në ndeshjen e fundit, në La Ligë dhe tani kanë marrë një barazim kundër skuadrës franceze të Rennes. Ndërsa, skuadra tjetër spanjolle, ajo e Athletico Bilbaos, e ka mposhtur me rezultat 2-0 skuadrën franceze të PSG-së.
Në 24 ndeshjet që janë zhvilluar në kuadër të Europa League, vlenë të theksohet një fakt interesant, që asnjë ndeshje e vetme nuk ka përfunduar pa gola dhe në të gjitha ndeshjet janë shënuar më shumë se një gol. (LajmeShqip.com)
Friday, 30 September 2011 07:18