Në këtë botë të vogël dhe kaotike të futbollit shqiptar, ekzistojnë edhe disa gurë kilometrikë që të orientojnë dhe të drejtojnë rrugën nga duhet të shkosh.
Një prej këtyre gurëve është Faruk Sejdini, trajneri i vjetër dhe i ri i Dinamos, njeriu që synon të bëjë mrekullinë e radhës me nëndetësen blu thuajse të dalë jashtë përdorimit, më keq sesa nëndetëset e dikurshme të Pasha Limanit.
“Xhaxhi” historik ka marrë mbi vete një barrë tjetër të rëndë, nga ato që nuk ka ngurruar të marrë gjithë jetën, ndërsa personazhi “Sejdini” i bën nder profesionit të trajnerit, një zanat shumë i nëpërkëmbur dhe i hedhur tej gjatë kaq shumë viteve të tranzicionit.
Një trajner mund të mbetet në histori kur ka personalitetin, pasionin dhe rrjedhimisht edhe edukatën e duhur të punës dhe këto nuk i mungojnë Sejdinit, shpresës së vetme reale të Dinamos, porsi një kapiten që di ta drejtojë anijen e tij edhe në mes të stuhive më të frikshme të oqeanit.
Pa para e pa mbështetje, por me karakterin e fortë. Vetëm një trajner mund ta bëjë këtë, asnjë superyll sado i madh të jetë dhe asnjë president, sado i pasur, dashamirës dhe karizmatik. Sër Aleks Ferguson jo më kot mendon Zhoze Murinjon si pasardhës të tij. Trajneri i “djajve të kuq” thekson përvojën, edukatën e punës dhe personalitetin si arsyet kryesore për të cilat ai e quan Murinjon si njeriun më të përshtatshëm për ta zëvendësuar.
Në një përqasje në distancë, Sejdini mund t’i afrohet portugezit për nga karakteri. Jo më kot, tifozët e Dinamos e quajnë atë me emrin e legjendës braziliane, Zagallo.
Monday, 19 September 2011 17:32