Romë – Edicioni 2011-12 i Kampionatit Italian të Futbollit, i paraparë të nis sot, është shtyrë për shkak të grevës së futbollistëve. Këtë e ka konfirmuar presidenti i Shoqatës së Futbollistëve të Italisë, Damiano Tommasi.
Njëzet kapitenët e skuadrave të Serie A kanë firmosur një dokument gjatë këtij muaji, duke kërcënuar me grevë nëse nuk firmoset kontrata e re kolektive para fillimit të edicionit. Pas shumë negociatave, marrëveshja për kontratën e re kolektive nuk u arrit dhe lojtarët e futën në fuqi dokumentin e firmosur.
“Jemi munduar deri në fund për të evituar grevën. Por të gjitha tentimet tona ishin të kota”, ka deklaruar Tommasi, që konfirmoi grevën para se ekipet të nisnin udhëtimet për ndeshjet e para të edicionit të ri.
Mosmarrëveshja kryesore është rreth klauzolës që kërkojnë klubet.
Klubet kërkojnë që të kenë mundësinë të detyrojnë futbollistët e padëshiruar të stërviten larg ekipeve të para dhe që të detyrojnë futbollistët të paguajnë taksën e re të solidaritetit të lëshuar nga Qeveria, e që i ngarkon ata që marrin paga të mëdha.
Me pakon e re të kursimeve të Qeverisë italiane, qytetarët përballen me tatim prej 5% në të hyra vjetore mbi 128 mijë euro dhe 10% kur të hyrat janë mbi 213 mijë euro.
Duke pasur parasysh që javën e ardhshme zhvillohen ndeshjet eliminatore për Kampionatin Evropian “Euro 2012” (2 dhe 6 shtator), atëherë Serie A nuk do të startojë të paktën deri më 10 shtator. “Greva është një problem shumë i madh, sepse ekziston rreziku edhe për ndeshjet e ardhshme. Pra, mund që kampionati mos të startojë më 10 shtator”, ka thënë presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Giancarlo Abete.
Nëse greva zgjat një apo dy xhiro, atëherë ndeshjet e pazhvilluara do të kompensohen me një datë tjetër, të lirë.
Sipas delegatit sportiv Rocco Crimi kjo grevë do të jetë shumë e pazakontë. Ai ka thënë se të dy palët duhet të qetësohen për të arritur marrëveshje.
“Tifozët do të shohim grevën më të pazakonshme në histori të Italisë. Duhet të arrihet marrëveshja, por të dyja palët duhet të kenë kokën e qetë”, tha Crimi.
Greva e vetme e futbollistëve në histori të Serie A ndodhi në muajin mars të vitit 1996.
Konflikti mes futbollistëve dhe ligës italiane ka startuar prej muajit qershor të vitit të kaluar kur edhe skadoi kontrata kolektive. Futbollistët patën caktuar datat e grevave në edicionin e kaluar, por ato u evituan në momentet e fundit me marrëveshje gojore.
Ditë më parë vetëm Siena dhe Cagliari votuan në favor të lojtarëve, kurse 18 ekipet tjera ishin kundër kërkesave të Shoqatës së Lojtarëve të Italisë.
Kreu i Shoqatës së Futbollistëve, Tommasi, i ofroi ligës italiane mundësinë e fundit për të firmosur kontratën. Ai u bëri me dije se marrëveshja duhet të nënshkruhet pa dy klauzolat që kërkojnë klubet.
“Pasi nuk u nënshkrua frikësohem se kjo mund të zgjatë me muaj, sepse nuk është çështje që zgjidhet brenda 15 ditësh”, tha Tommasi, pasi liga italiane refuzoi propozimin e tij.
Serie A është dashur të startojë të shtunën (sot) me ndeshjet Fiorentina – Siena dhe Milan – Cagliari. Kurse, për të dielën ishin të parapara duelet: Napoli – Genoa, Atalanta – Cesena, Bologna – Roma, Inter – Lecce, Lazio – Chievo, Novara – Palermo, Parma – Catania dhe Udinese – Juventus.
Java e dytë në Serie A është e paraparë të luhet më 10-11 shtator, por edhe kjo është e dyshimtë.
Skuadra kampione e Italisë, Milani, kampanjën në Ligën e Kampionëve e nis më 13 shtator kundër Barcelonës. Ndërsa, një ditë më vonë në këtë garë do të luajnë edhe Inter e Napoli. Interi përballet me Trabzonsporin, kurse Napoli me Manchester Cityn.
Greva do të bëjë që futbollistët e Përfaqësueses së Italisë të luajnë kundër Ishujve Faroe (2 shtator) dhe Sllovenisë (6 shtator) pa asnjë ndeshje të zhvilluar kampionale.
Krahas Serie A edhe La Liga u shtyrë për një javë për shkak të grevës së futbollistëve të Spanjës. (Koha.net)
Saturday, 27 August 2011 09:57 