Shkodër – Njëri ndër portierët legjendarë të Vllaznisë, Armir Grima, i ka dhënë fund karrierës sportive. Me një ceremoni të organizuar dje në mjediset e Klubit të Futbollit Vllaznia, 37- vjeçari Armir Grima ka deklaruar dorëzimin e dorezave të portierit, në prezence të trajnerit të tij të parë, ish- portierit të famshëm të Vllaznisë në vitet ’70, Paulin Ndoja dhe Sekretarit të Klubit të Futbollit Vllaznia, Agim Medja.
Duke i falenderuar të gjithë, që nga trajneri i parë i tij, Paulin Ndoja dhe deri tek stafi teknik i fundit, e në veçanti tifozërinë e zjarrtë shkodrane, e cila e ka mbështetur aq fort në fushën e lojës, Grima theksoi se largohet nga fusha e blertë si portier, por ndërkohë bashkëpunimi me klubin Vllaznia tashmë si përgatitës i portierëvë, nuk do të mungojë në periudhën në vazhdim.
Në emër të klubit shkodran, sekretari Medja e cilësoi Grimën si legjenda e portës së Vllaznisë, ndërkohë që nuk ka munguar të evidentojë përpara gazetarëve të pranishëm disa prej cilësive pozitive të portierit Grima në karrieren e gjatë sportive me Vllazninë.
Mjaft i emocionuar është shprehur edhe ish- trajneri i portierëve të Vllaznisë, Paulin Ndoja, ai që e stërviti Grimën që në moshën 14 vjeçare. Sipas tij, futbollit shqiptar dhe në veçanti, Vllaznisë, do t’i mungojë mjeshtria e portierit Armir Grima, pasi me vlerat e tij, futbolli shkodran korri suksese jo të pakta në veprimtaritë futbollistike.
Grima do të mbahet mend për karrierën e gjatë sportive, rreth 25 vjeçare, ku përveç Vllaznisë, ka luajtur edhe për Partizanin, Dinamon, Laçin, Besëlidhjen, Flamurtarin e Prishtines dhe Etnikos të Greqisë.
Tuesday, 23 August 2011 08:05