Shkodër – Situata në kampin kuqeblu të Vllaznisë duket se po shkon drejt normalizimit. Pas një lëkundjeje që u vu re me largimin e disa titullarëve të formacionit të parë, ndërhyrja e presidentit Valter Fushaj bëri që disa prej tyre të ndryshonin mendje.
Mes tyre është edhe portieri malazez, Miroslav Vujadinoviç, largimi provizor i të cilit erdhi për një keqkuptim që ai pati me presidencën në lidhje me një shtesë në pagën e tij, gjë e cila përcaktohej në kontratë.
Siç pati bërë të ditur edhe vetë Vujadinoviç, ndarja mes tij dhe Vllaznisë nuk ka qënë përfundimtare, sepse për të saktësuar gjithçka ishte lënë një takim i dytë mes tyre. Takim, që sipas një prononcimi të vetë malazezit, është realizuar dhe këtë radhë presidenti Fushaj ka pranuar të respektojë atë që i kishte premtuar Vujadinoviçit, e cila konsistonte në shifrën e 5 mijë eurove.
Kjo ka ka bërë në portieri shtatlartë i ardhur vitin e kaluar nga Buduçnosti tek Vllaznia të pranojë rikthimin tek shkodranët për të vijuar edhe për një sezon tjetër me këtë skuadër. Por, në të njëjtën kohë, krahas rikthimit të Vujadinoviçit, që konsiderohet si pika më e fortë e kuqebluve, nga lista e të larguarve të përfolur janë hequr edhe mbrojtësi lezhjan Dritan Smajli, i cili pas një prove jashtë vendit, për mos pranim të ofertës financiare në Suedi, ka preferuar të rikthehet sërishmi tek Vllaznia.
Po kështu pranë një rikthimi është edhe mbrojtësi i qëndrës, malazezi Blazhe Rajeviç, të cilit i ka përfunduar kontrata me kuqeblutë, dhe një ofertë e dytë e shkodranëve, duket se e ka bindur të rikthet tek skuadra ku luajti me sukses sezonin e kaluar futbollistik. Me këto rikthime, si dhe të ndonjë përforcimi tjetër, drejtuesit e Vllaznisë janë të bindur se skuadra do të jetë e plotë për sezonin e ri futbollistik.
Sunday, 07 August 2011 09:22