Shkodër – Kur duhen edhe pak ditë që të startojë sezoni i ri futbollistik 2011-2012, skuadra shkodrane Vllaznia është përfshirë në një situatë kritike në lidhje me emrat e titullarëve që do të luajnë në formacionin e parë.
Eliminimi nga Europa League, por më së shumti edhe një moskordinim i presidencës kuqeblu me bashkinë e Shkodrës,
që është edhe pronare e klubit Vllaznia, ka sjellë një pështjellim në radhët e shkodranë, të cilët kanë filluar të largohen një e nga një. Kështu, disa nga emrat e larguar nga radhët e kuqebluve janë Nallbani, Abraham, Shtubina, Smajli, Sinani, Rajeviç, Vajushi, Vujadinoviç.
Ndërkohë që emrat e mëparshëm janë bërë të ditur ditë më parë, ky i fundit, malazezi Miroslav Vujadinoviç e ka deklaruar sot zyrtarisht një gjë të tillë. Në një prononcim, Vujadinoviç ka bërë të ditur se arsyeja e këtij largimi nga Vllaznia është moszbatimi i kontratës së lidhur me presidentin shkodran, Valter Fushaj, në lidhje me një shtesë page në vitin e dytë të aktivizimit.
Vujadinoviç, i aktivizuar në rolin e portierit, iu bashkua Vllaznisë sezonin e kaluar, duke u transferuar nga skuadra e Buduçnostit të Malit të Zi. Kontrata e tij me Vllazninë ka qënë e lidhur për dy vite, por me kusht që në vitin e dytë, paga të rritej në një masë prej 30 për qind, gjë të cilën presidenca shkodrane nuk e ka zbatuar. Dhe, për këtë, malazezi Vujadinoviç, edhe pse dëshira e tij ishte që të vijonte sërishmi me Vllazninë, ka deklaruar se do të largohet për të kërkuar një skuadër tjetër që do t’ia plotësojë kushtet financiare. (LajmeShqip.com)
Friday, 05 August 2011 09:27