Elbasan – Ekipi verdheblu i Elbasanit, pasditen e së hënës, ka nisur zyrtarisht përgatitjet për edicionin e ri sportiv. Presidenti i Futboll Klub Elbasani, Arben Laze, i pranishëm në nisjen e seancës stërvitore, është shfaqur tepër optimist para të pranishmeve në ambientet e kompleksit sportiv “Shefqet Lamçe” jo vetëm për fillim e mbarë të punës në kampin verdheblu, por edhe për të ardhmen e këtij ekipi.
Mes futbollisteve në seancën e parë stërvitore nuk mungonin pjesa më e rëndësishme e bërthamës së Elbasanit nga kampionati i fundit i Superligës si dhe disa nga futbollistët që Laze ka premtuar se do të jenë pjesë e verdhebluve në këtë edicion.
Në stërvitjen e së hënës ka marrë pjesë edhe portieri i mirënjohur elbasanas Elvis Kotorri me të cilin shpresohet që aksionerët të finalizojnë me sukses marrëveshjen që ai të jetë portieri titullar i verdhebluve në këtë edicion.
Gjithashtu, në seancën e parë stëvitore për fazën përgatitore me Elbasanin janë bashkuar edhe Armand Çekrezi dhe Klevis Roshi, të cilët nuk kanë luajtur me verdheblutë vitet e fundit. Ndërkaq, Laze konfirmoi për mediat se me këtë ekip do bashkohen së shpejti edhe disa futbollistë të huaj nga kontinenti Afrikan dhe nga Maqedonia e Serbia.
Tuesday, 19 July 2011 08:55