Shkodër – Përfaqësuesit e UEFA-s dhanë sot miratimin e tyre për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit verior të Shkodrës.
Gjatë një takimi të zhvilluar në mjediset e këtij, stadiumi vëzhguesi i UEFA-s, francezi Piette Jean Louis, pasi inspektoi të gjitha ambientet e stadiumit “Loro Boriçi”, mjediset e brendshme dhe të jashtme dha miratimin për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare në këtë stadium.
Përfaqësuesi i FSHF-së, Arsen Hoxha, tha se, “stadiumi “Loro Boriçi” dhe masat e marra nga klubi “Vllaznia” u vlerësuan nga vëzhguesi i UEFA-s, Louis”.
Sipas tij, një vlerësim i tillë është mjaft pozitiv për stadiumet shqiptare nga organizmi i UEFA-s, duke garantuar zhvillimin edhe të ndeshjeve të tjera ndërkombëtare të skuadrave tona përfaqësuese në impiantin bashkëkohor të “Loro Boriçit”.
Sot pasdite në orën 19:00 në stadiumin “Loro Boriçi” do të zhvillohet ndeshja e dytë e kthimit Vllaznia-Birkirkara në kuadër të turit paraeleminator të Europa Ligës.
Thursday, 07 July 2011 14:53