Prishtinë – Të shtunën në Hamburg të Gjermanisë zhvillohet meçi historik i boksit profesionist ndërmjet David Haye-s dhe Vladimir Klitchko-s. Ky meç është në qendër të vëmendjes së opinionin boksdashës në botë dhe ka hapur qysh tani betejën verbale midis dy tigrave të ringut.
Është vështirë të flasësh për cilësitë dhe aftësitë teknike për David Haye-n, i cili ka një shpejtësi të jashtëzakonshme, fuqi dhe goditje tmerrësisht të fortë, por është edhe më e vështirë të flasësh për Vladimir Klitschko-n, i cili ka, po ashtu, cilësi dhe shpejtësi të jashtëzakonshme, fuqi, goditje dhe teknikë ndoshta më të fortë se Haye dhe, mbi të gjitha, din të ruhet jashtëzakonisht mirë.
Klitschko shpreson se historia do të përsëritet dhe se madhësia me të vërtetë ka rëndësi.
Ky është termini i tretë për një duel Klitschko vs Haye dhe shpresojmë se do jetë i vërteti, sepse dy terminët e para u anuluan për shkaqe të ndryshme.
Tani Klitschko dhe Haye janë dakorduar që t’i ndajnë të gjitha fitimet e kësaj lufte në dy pjesë dhe që asnjëri të mos ketë më shumë apo më pak fitim se tjetri. Ky ishte një ndër problemet, për të cilat u anuluan duelet e mëparshme.
David Haye ka arritur gjithashtu që të shlyejë nga kontrata dëshirën e Vladimir Klitschko-s për një meç tjetër në rast humbjeje.
Kampioni në fuqi në kategoritë e rënda WBO, IBF dhe IBO, Vladimir Klitschko, ka premtuar se David Haye do të jetë një person më i mirë pas ndeshjes së të shtunës.
Ukrainasi Klitschko, i cili duhej të presë 30 minuta që Haye t’i kryente fjalët e tij gjatë konferencës së shtypit në Hamburg, në prononcimin e tij ka thënë se do ta “mjekojë” kampionin e kategorisë WBA për gojën e tij të madhe.
“Emri im është Dr. Klitschko, unë jam mjek dhe më 2 korrik do t’ju mjekoj, do të jetë një rehabilitim i vërtetë. Do t’ju kthej në realitet, që do të jetë më mirë për jetën tuaj. Ju do të jeni një person më i mirë dhe do të keni sjellje më të mira”, ka thënë Klitschko.
35-vjeçari Vladimir dhe vëllai i tij më i vjetër, Vitaly, i cili mban shiritin e kampionit në kategorinë WBC, gjatë dy viteve të kaluara kanë qenë në plan të ndeshen dy herë me Haye-n, por të dy herat ndeshjet ishin anuluar, pasi ata kishin dështuar të arrijnë marrëveshje rreth detajeve për meçin aq shumë të pritur.
Nëse Haye e mposhtë Vladimirin në Hamburg, ai do të mbajë tre breza të kampionit të botës, të tijin nga WBA dhe versionet WBO dhe IBF, të cilat i takojnë ukrainasit.
Nëse Haye humbë, mundësia e revanshit kundër Vladimirit është e përjashtuar.
“Kjo mund të jetë përballja ime e fundit, andaj do të përkujdesem që të jetë bindshëm më e mira”, përfundoi Haye.
Për shkak të popullaritetit të madh që ka David Haye, Klitschko nuk do të përfitojë as më shumë e as më pak se anglezi David Haye, kampion WBA i botës në peshat e rënda dhe boksieri, ndoshta, më atraktiv i të gjitha kohëve.
Klitschko është pronar i titujve WBO, IBF dhe IBO në peshën e rëndë, ndërsa Haye është zotërues i titullit WBA në këtë kategori. (Lajmeshqip.com)
Wednesday, 29 June 2011 15:52