E përditshmja milaneze “La Gazzetta dello Sport” pohon se Juventusi ka lëvizur tashmë. Sipas kësaj gazete, Marotta ka arritur marrëveshjen me lojtarin për 6. 5 milionë euro në sezon, që shkojnë në 7. 5 me bonuset dhe ka bërë një ofertë të madhe tek Atletico.
Duket se drejtuesi bardhezi ka ofruar 35 milion euro plus një lojtar, por Atletico nuk kërkon të zbres nga klauzola 45 milionëshe.
Nëse llogaritet oferta dhe paga për 5 vjet, kjo marrëveshje arrinë në 100 milionë euro.
Flitej për një ofertë të madhe nga Chelsea, por edhe nga Argjentina. E përditshmja Ole pohon se kjo është thjeshtë një manovër për të mbajtur çmimin e palëvizur, 45 milionë euro. Kjo gazetë konfirmon, gjithashtu, se së shpejti marrëveshja do të arrihet, sepse colchoneros kanë nevojë për para dhe nuk mund të rrezikojnë më tej.
Tashmë Juventusi dhe agjentët e Agueros luajnë me karta të hapura. Marotta pohon se Aguero është objektivi i tij dhe agjenti i Agueros Bruno Satin pohon se kontaktet me Juven janë të vazhdueshme dhe se Juventusi është një ekip i madh, i cili nuk do të ketë probleme për të gjetur akordin me lojtarin dhe klubin.
Pak rëndësi ka nëse Juventusi është larg kupave të Evropës, sepse paga prej 7. 5 milionë euro në vit që Marotta i ka premtuar lojtarit, mjafton për të harruar Championsin për 1 sezon. Satin pohoi se mundësia për të veshur fanelën bardhezi është konkrete.
Atletico Madrid është një nga skuadrat më me borxhe në La Liga. Këto borxhe e detyruan ta shes portierin e ri, De Gea, tek United për rreth 20 milionë.
Duke pasur parasysh se lojtari do të zhvillojë Kupën e Amerikës, pritet që çmimi i tij të shkojë në 35 milionë. Këtë këshillë e ka dhënë edhe një nga “ujqërit e vjetër” të merkatos, Antonio Caliendo. Atletico ka nevojë për para dhe mund ta uli çmimin.
Wednesday, 29 June 2011 13:55