Shkodër – Prej rreth një muaji, boksierët e ekipit përfaqësues të Shqipërisë vijojnë përgatitjet intensive në qytetin e Shkodrës për të marrë pjesë në Kampionati Europian, i cili zhvillohet pas pak ditësh në Turqi.
Trajneri i kombëtares shqiptare, shkodrani Zef Gjoni, tha per ATSH-në se, “me mbështetjen e Federatës Shqiptare të Boksit, boksierët e kombëtares, konsumuan një fazë përgatitore shumë serioze, ku dy javët e para u shfrytëzuan me një përgatitje komplekse fizike në plazhin e Velipojës dhe pjesa tjetër, ajo tekniko-taktike, në palestren e boksit të klubit Vllaznia”.
Sipas tij, në peshën deri në 64 kg, konkuron Xhulio Vrenozi, pjesëtar i klubit Apolonia, Alban Bërmeta i Tiranës në peshën 75 kg, Astmer Bilali në peshën deri në 69 kg dhe Kristian Demaj në peshën deri në 91 kg, që të dy pjesëtar të klubit Vllaznia.
Gjoni tha se në finalet e Kampionatit Europian të Boksit për të rritur, bazuar në përgatitjet dhe formën e mirë sportive që gëzojnë boksierët tanë, Shqipëria premton për një paraqitje dinjitoze.
Tuesday, 14 June 2011 18:29