Zgjerohet dhe ngushtohet sipas ditëve, përgjimeve dhe rrëfimeve numri i futbollistëve dhe klubeve të përfshira në hetimin e skandalit të basteve të quajtur edhe “Scommessopoli”.
Pasi është përgënjeshtruar çdo përfshirje e Romës dhe kapitenit të saj, Toti, ka edhe ndeshje të Seria A-së nën hetim. Dhe, sipas agjencisë së specializuar Agicos, vetëm Interi është përfshirë në një fluks bastesh anormale të sinjalizuara nga Monopoli i Shtetit te Federata dhe më pas te prokuroria e Kremonës.
Nuk rezultojnë në këtë listë Milani, Juventusi, Roma dhe Lacio. Të përfshira janë gjithashtu edhe 16 ndeshje të Lega Pro, 13 të Serisë B, 6 të Serisë A dhe një e Kupës së Italisë.
Ndërsa, në skandalin e basteve që ka shpërthyer në Itali e dyshuar është edhe një ndeshje e Çezenës, skuadrës së Erjon Bogdanit. Bëhet fjalë për takimin e 27 shkurtit të këtij viti, ku bardhezinjtë fituan me rezultatin 1-0 me Kievon. Sipas telefonatave të përgjuara, Bogdani flet me ish-futbollistin Parlato, ndërsa gjatë bisedës thanë: “Klubet të bien vetë dakord, ne nuk hyjmë”.
Dy të arrestuarit diskutonin për një barazim 1-1 të paracaktuar, por në fakt, takimi u mbyll me fitoren 1-0 të Çezenës, duke u shndërruar në një etapë të rëndësishme të mbijetesës. Ai që u “shkaterroi” planet e bastexhinjve të akuzuar ishte pikërisht sulmuesi i kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani. Natyrisht jo në dijeni të asaj që flitej, në minutën e 90-n, shqiptari fitoi një penallti, e cila u shndërrua në gol nga Jimenez.
Friday, 10 June 2011 09:06