Trajneri Kuzhe e ka ndarë mendjen për formacionin në përballjen me Bosnjën.
Në portë Ujkani, në qendër të mbrojtjes Cana e Curri dhe në krahë Dallku e Vangjeli. Në mesfushë, Skela është i pozicionuar djathtas dhe Agolli majtas, ndërsa në qendër është dyshja e forcës Lala-Bulku, për të qenë në sulm Salihi e Bogdani. Shkodrani do të jetë ndoshta edhe me detyra shtesë në mesfushë, në varësi nga mënyra e zhvillimit të takimit.
Mediat boshnjake kanë piketuar Skelën, veteranin e mesfushës, i cili ka treguar një emër mbi të gjithë: Hamdi Salihin. “Aktualisht, – u shpreh vlonjati, – Salihi është lojtari ynë më i rëndësishëm. Të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm, por ai është veç. Po kështu, edhe tek klubi i tij, Rapid i Vjenës, shënon gola të mrekullueshëm”. Media boshnjake nuk harron të theksojë se Salihi ka vendosur fitoret ndaj Luksemburgut dhe Bjellorusisë me golat e tij, ndërsa të dyja ato ndeshje përfunduan 1-0.
Kështu pra, Shqipëria luan shanset e saj, shanse që ende ekzistojnë në këto eleminatore dhe që mund të shtohen ose të pakësohen në varësi të rezultatit të sotëm në fushën e Bosnjë-Hercegovinës.
Tuesday, 07 June 2011 19:12