Trajneri i Shqipërisë, Josip Kuzhe, ka vendosur të luajë me dy sulmues ndaj Bosnjë-Hercegovinës kur dy ekipet të ndeshen në Zenicë ditën e martë. Ndeshja për eliminatoret e Euro 2012 është me shumë rëndësi, pasi 4 skuadra pretendojnë për vendin e dytë dhe Kuzhe ka vendosur që të ketë në fushë edhe Erion Bogdanin, por edhe Hamdi Salihin, i cili natyrshëm që do të kryejë edhe detyra në mesfushë.
“Duhet të bëjmë kujdes në 20 minutat e para të ndeshjes, është shprehur Kuzhe, pasi boshnjakët do ta nisin takimin furishëm për të shënuar që në fillim. Nëse kalojmë këtë 20 minutash, atëherë mund t’i nervozojmë dhe t’i godasim. Për këtë arsye, më duhet edhe Salihi në fushë”.
Bosnjë-Hercegovina vjen në ndeshjen ndaj Shqipërisë pas humbjes së rëndë 0-3 në Rumani dhe gjendja morale në kampin e saj nuk është shumë e mirë. Kuzhe e ka shumë të qartë se boshnjakët, ashtu si shqiptarët, janë të paparashikueshëm ndaj duhet pasur shumë kujdes në ndeshjen e së martës.
Shqipëria ka 8 pikë në grupin eliminator, një më pak se Bjellorusia dhe baras me Rumaninë, ndërsa Bosnjë-Hercegovina ka fituar deri tani 7 pikë.
Ndërsa vullkani Puyehue ka shpërthyer në pjesën jug-qendrore të Kilit, teksa hiri ka shkuar deri në 10 kilometra lartësi. Kjo e ka nxitur qeverinë që të evakuojë disa mijëra banorë të zonës ku janë edhe tre vullkane të tjera. Shpërthimi në vullkanin që gjendet rreth 920 kilometra në jug të kryeqytetit, Santiago, ka nxitur autoritetet në Kili që të mbyllin dhe një kalim kufitar për në Argjentinë.
Rreth 2 mijë vullkanet e Kilit përbëjnë zinxhirin e dytë më të madh në botë pas atyre të Indonezisë. Retë e pluhurit vullkanik kanë kaluar brenda kufijve të Argjentinës dhe disa aeroporte janë mbyllur deri në afat të pacaktuar.
Nëse situata rëndohet, mund të vërë në dyshim zhvillimin e miqësores së 20 qershorit Argjentinë-Shqipëri, pasi rruga e vetme e kuqezinjve drejt Buenos-Airesit është fluturimi për avion.
Tuesday, 07 June 2011 09:28