Një kroat nuk ka shumë frikë nga fqinjët e tij boshnjakë. Ky është trajneri i Shqipërisë, Josip Kuzhe, i cili duket se ka vendosur të luajë me dy sulmues ndaj Bosnjë-Hercegovinës kur dy ekipet të ndeshen në Zenicë ditën e martë. Ndeshja për eleminatoret e Euro 2012 është me shumë rëndësi, pasi 4 skuadra pretendojnë për vendin e dytë dhe Kuzhe ka vendosur që të ketë në fushë edhe Erion Bogdanin, por edhe Hamdi Salihin, i cili natyrshëm që do të kryejë edhe detyra në mesfushë.
“Duhet të ruhemi në 20 minutat e para të ndeshjes, – është shprehur Kuzhe, – pasi boshnjakët do ta nisin takimin furishëm për të shënuar që në fillim. Nëse kalojmë këtë 20-minutësh, atëherë mund t’i nervozojmë dhe t’i godasim. Për këtë arsye, më duhet edhe Salihi në fushë”.
Bosnjë-Hercegovina vjen në ndeshjen ndaj Shqipërisë pas humbjes së rëndë 0-3 në Rumani dhe gjendja morale në kampin e saj nuk është shumë e mirë. Gjithsesi, Kuzhe e ka shumë të qartë se boshnjakët, ashtu si shqiptarët, janë të paparashikueshëm ndaj duhet pasur shumë kujdes në ndeshjen e së martës.
Shqipëria ka 8 pikë në grupin eleminator, një më pak se Bjellorusia dhe baraz me Rumaninë, ndërsa Bosnjë-Hercegovina ka fituar deri tani 7 pikë. Ndryshimi është që Rumania ka luajtur një ndeshje më shumë, ndërsa Franca kryeson grupin me 13 pikë.
Monday, 06 June 2011 10:47