Pedro Leon sot në mëngjes është parë në zyrat e klubit, për të biseduar për të ardhmen e tij, e cila si duket do të jetë larg Bernabeut.
Lojtari e di tashmë se nuk bënë pjesë në planet e Jose Mourinhos dhe ka kërkuar të largohet.
“Ardhjet e reja bënë që Leon të mos qëndrojë më. Sido që të jetë ai edhe në këtë sezon ka luajtur shumë pak, por ne nuk do ta harrojmë atë golin e Ligës së Kampionëve kundër Milanit në çastet e fundit të ndeshjes, me ç’rast klubi ynë nuk pësoi humbje”, ka thënë Mou.
Trajneri i Real Madridit ka pohuar për mediet spanjolle se ende nuk ka pasur asnjë bisedë rreth transferimit të Kun Agueros drejt Madridit.
“Nuk e kam kërkuar Sergio Agueron. Nuk dua të jem hipokrit, ai është një lojtar fantastik dhe më pëlqen si futbollist. Ai momentalisht është lojtar i Atleticos. Real Madridi nuk bisedon me lojtarët, nëse në fillim nuk merret vesh me klubin e tij”, ka thënë Mourinho.
Ai ka folur edhe për dy sulmuesit e Realit, Benzeman dhe Higuainin.
“Ata të dy nuk janë në shitje. Kemi biseduar dhe jemi akorduar se do të mbesin tek Real Madrid”, ka përfunduar Mourinho.
Treneri Mourinho beson se ekipi i tij është i aftë të mbizotërojë në Evropë në periudhën që vjen.
Mbrojtësin e majtë Fabio Coentrao nga Benfica po e kërkojnë të gjitha klubet evropiane, si dhe Mourinho dëshiron që portugezin ta sjellë në Madrid.
“Ai është një lojtar i shkëlqyer, më pëlqen universaliteti i tij, mund të luajë në pozita të ndryshme. Lojtar të tillë janë gjithmonë të mirëseardhur në ekipin tim”, ka thënë Mourinho për radion spanjolle “Kadena Ser”.
Në Madrid Coentrao do të mund t’iu bashkëngjitet lojtarëve të tjerë portugezë si Pepe, Carvalho dhe Ronaldo. Mourinho e ka lavdëruar edhe lojtarin turk Nuri Shahin.
“Shahin ka qenë lojtari më i mirë në Bundesligë. Ai është një lojtar, i cili do të ketë një ardhmëri të shkëlqyer, si Ozil, Di Maria dhe Benzema. Ne jemi ekip i ri, për tri deri katër vjet do të shënojmë një epokë të re në futbollin evropian”, ka përfunduar Mourinho.
Saturday, 04 June 2011 09:35