Mediet në Spanjë thonë se strategu portugez Jose Mourinho nuk e dëshiron rikthimin e holandezit Royston Drenthe në skuadrën e tij.
Drenthe duhet të rikthehet tek reali më 30 qershor, pas një viti të huazimit te tij tek skuadra e vogël spanjolle, Hercules, mirëpo vetë Mourinho ka thënë që holandezi nuk ka vend ne përbërjen e tij.
Ai u transferua nga Feynordi në vitin 2007, për 13 milionë euro, pasi u shpall lojtari më i mirë në kombëtaren e tij U21 të Holandës.
Për të janë të interesuara disa skuadra angleze, por edhe ato italiane, përfshirë këtu edhe Juventusin.
Ndërkohë presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini, tha të hënën se Real Madridi është i interesuar në argjentinasin Havier Pastore. “Jose Mourinho është shumë i ngazëllyer me paraqitjet e Pastores dhe ai i pëlqen qysh kur ishte i ri”.
“Pastore është i vetmi lojtar që mund të shkojë nga Palermo në drejtim të Spanjës. Për Pastoren janë të interesuara shumë klube, duke përfshirë Real Madridin, Barcelonën, Chelsean dhe Manchester Cityn dhe, gjithashtu, nga Italia – Inter, Milan dhe Juve”, konfirmoi Zamparini.
Zamparini: “Në këtë vit Pastore do te jetë këtu, sepse në vitin e ardhshëm ai ka një sfidë të madhe përpara. Ndoshta Pastore mund të largohet në drejtim të Realit apo Barcelonës, por nuk mund të them asgjë, vetëm e di se Jose Mourinho gjithmonë ka tentuar të transferojë Pastoren”.
Edhe Sami Khedira thotë se ekipi i tij, RealMadrid, nuk është larg për të arritur nivelin që aktualisht ka Barcelona, të cilën ai e përshkruan si një fitues të denjë për Ligën e Kampionëve.
“Të gjithë pajtohen se Barcelona e fitoi Ligën e Kampioneve, por ne jemi shumë afër për të arritur nivelin e Barcelonës”, tha Khedira në një intervistë botuar në “Kicker”.
Në lidhje me gjysmë finalen e Ligës së Kampionëve, ku Real Madrid u mposht nga Barcelona, Khedira është i bindur se “ekipi i tij nuk do te ishte eliminuar, por ndodhi përjashtimi i Pepes, i cili ishte i padrejtë”.
“Në Ligën e Kampionëve kemi humbur nga një karton i kuq dhe pikëpamja ime nuk është e gabuar. Nëse do të kishim njëmbëdhjetë kundër njëmbëdhjetë, atëherë ne nuk do te kishim humbur ndeshjen“, tha Khedira.
Tuesday, 31 May 2011 08:38