Presidenti i ri i Gallatasarayt, Unal Aysal, dhe trajneri i sapozgjedhur, Fatih Terim, do të vendosin përfundimisht në dy ditët e ardhshme për fatin e Lorik Canës.
Për futbollistin, që kanë rënë dakord me Lazion për një kontratë trevjeçare dhe me klubin turk që parimisht e pëlqen ofertën ekonomike të klubit italian (borxh dy milionë euro, me të drejtën e blerjes së kartonit për katër milionë euro të tjerë), tani mbetet vetëm që dy personat kryesorë të klubit turk, të vendosin edhe në aspektin teknik.
Nuk është një mister që Terim e pëlqen futbollistin shqiptar, por diskutimi është më i gjerë se kaq. Gallatasaray duhet të vlerësojë edhe në kuadër të strategjive të merkatos. Ja pse, siç raportojnë mediet turke, presidenti i ri i klubit turk, Unal Aysal, dhe trajneri, Fatih Terim, kanë diskutuar edhe për këtë çështje gjatë një mbledhjeje që zgjati thuajse katër orë. Dhe nuk kanë arritur ende në një zgjedhje përfundimtare.
“Po e vlerësojmë mirë situatën, do të vendosim brenda dy ditësh”, ka thënë perandori për mediet turke.
Ndërsa, mesfushori kosovar Granit Xhaka ka thënë se Përfaqësuesja e Zvicrës gjithmonë ka qenë opcioni i tij i parë.
“Unë nuk kam pasaportë shqiptare dhe jam zviceran i plotë. Po ashtu kam thënë gjithmonë se do të luaj me dëshirë për Zvicrën. Unë jam rritur në Zvicër dhe e kam familjen dhe shokët këtu. Po ashtu edhe vëllai im luan për grupmoshat e reja të Zvicrës. Për mua Zvicra ishte gjithmonë opcioni i parë”, ka thënë Xhaka, shkruan “20minuten”.
Xhaka jo pak herë para se të ftohej nga Zvicra, kishte thënë se po e shqyrton mundësinë të luajë për Shqipërinë, ndonëse rregullat e FIFA-s nuk e lejojnë një gjë të tillë, meqë nuk ka pasur pasaportë shqiptare kur ka luajtur me grupmoshat e reja të Zvicrës.
Monday, 30 May 2011 16:12