Asi i Barcelonës, Lionel Messi, ka deklaruar se bashkëlojtarët e tij nuk janë të vetëdijshëm se çfarë suksesi kanë arrite ata këtë sezon.
“Kjo ka qenë ndeshje për ta mbajtur në mend. Ajo që ka bërë ky ekip është e pamundur dhe ne ende nuk jemi të vetëdijshëm se çfarë suksesi kemi arritur. Tani do të shohim se si do ta festojmë këtë. Ne jemi ekip me plot fitues. Mendojmë vetëm për festë, e pastaj do të mendojmë për sezonin e ardhshëm”, ka thënë Messi.
Menjëherë pas fitores, mediet spanjolle kanë ngritur në qiell skuadrën e Barcelonës dhe trajnerin e saj Pep Guardiola.
“Një Barcelonë ëndrrash”, është titulli kryesor i gazetës spanjolle “Marca”. Në shkrimin e saj cilësohet se ekipi i Guardiolës ka fituar edhe një tjetër Champions me të njëjtin superioritet ndaj anglezëve të Fergusonit. Tashmë trofeu i katërt nuk është më një ëndërr, por një realitet dhe kjo falë kësaj Super-Barcelone, përfundoi shkrimi i kësaj gazete.
“Barcelona kampione”, është titulli i gazetës tjetër sportive spanjolle AS. Në komentin e saj për finalen e Wembleyt, AS i ka mëshuar faktit se për momentin Barcelona e Pep Guardiolës nuk ka rivalë.
Të gjitha gazetat spanjolle nuk kanë lënë pa komentuar golin e vetëm të “Djajve të Kuq” të shënuar nga Wayne Rooney. Sipas tyre skocezi Ryan Gigs ishte në pozicion jashtë loje në momentin e marrjes së topit nga Runi.
Monday, 30 May 2011 09:15