Një mesfushor dhe një mbrojtës nga Mali i Zi mund të jenë blerjet e para për ekipin shkodran.
Udhëtimi drejt Malit të Zi, për të parë ndeshjen finale të kupës së këtij vendi në mes ekipeve Mogren dhe Rudar, nuk u ka shkuar kot drejtuesve të Vllaznisë. Ata vërtet kanë mbetur të zhgënjyer nga lojtarët që u ishin sugjeruar për t’i ndjekur, por kanë pikasur dy të tjerë shumë të talentuar dhe që në një të ardhme të afërt mund të jenë pjesë e Vllaznisë.
Madje thuhet se me ta kanë filluar edhe bisedimet. Lajmin e konfirmon edhe vetë trajneri Mirel Josa, që pas kthimit nga Podgorica, është shprehur: “Kishim në plan të vëzhgonim dy lojtarë nga skuadrat finaliste të Kupës së Malit të Zi, por të them të drejtën ata nuk më lanë ndonjë përshtypje të mirë.
Por ndërkohë vërejta një lojtar tjetër që ishte interesant dhe me të cilin do të bisedojmë në ditët në vazhdim. Ai luan në mbrojtje, ndërsa jemi duke ndjekur përmes kasetave edhe një mesfushor. Nuk mund të them asgjë më tepër në lidhje me këta futbollistë, sepse thjesht kemi filluar të tregojmë interes për ta dhe në ditët në vazhdim do të shohim çfarë do të bëjmë.”
Ai nuk ka dashur të thotë asgjë më tepër, megjithatë nga burime tona mësojmë se presidenti Valter Fushaj, trajneri Mirel Josa dhe drejtori organizativ Kujtim Shaba, kanë pasur në fokusin e tyre vëzhgimin e një mbrojtësi të Rudarit dhe një sulmuesi të Mogrenit.
Bashkë me drejtuesit e Vllaznisë kanë qenë në stadium edhe një menaxher nga Mali i Zi, që punon për shkodranët si dhe ish trajneri i saj, Mojash Radonjiç. Në ndeshjen që është fituar me penallti nga Rudar, mbrojtësi i qendrës së saj Bojiç nuk ka lënë ndonjë përshtypje kushedi se çfarë.
Për më tepër, mosha e tij 33-vjeçare nuk ishte premtuese. Nga ana tjeër, sulmuesi i Mogrenit, Glusçeviç, ka spikatur me lojën e tij, por nga sa është mësuar, vlera e tij në treg është aktualisht 400 mijë euro, shifër kjo e papërballueshme nga shkodranët.
Duke qenë kështu, u duk se udhëtimi i tyre drejt Malit të Zi do të shkonte kot, por në ndeshjen finale të kupës së këtij vendi, shkodranët kanë pikasur një mbrojtës tjetër tek ekipi i Rudarit. Bëhet fjalë për 23-vjeçarin Vladan Adziç.
Shkodranët menjëherë pas ndeshjes thuhet të kenë nxituar të bisedojnë me këtë lojtar. Por përveç tij, gjatë udhëtimit në Podgoricë dhe qëndrimit atje, drejtuesit e Vllaznisë dhe kryesisht trajneri Josa ka pasur mundësi të shohë disa kaseta të një futbollisti tjetër malazez.
Sipas të dhënave që merren, është thënë se lojtari në fjalë luan si mesfushor organizator, ka qenë pjesë e ekipit malazez Zeta, para se të kalonte në Uzbekistan, ku për tre vjet me radhë ka luajtur në kampionatin e këtij vendi.
Nga të dhënat që kemi mundur të marrim, duket se bëhet fjalë për 24-vjeçarin Darko Markoviç, i cili ka luajtur së fundi me ekipin Pakhatakor në Uzbekistanin e largët dhe tashmë është futbollist i lirë. Trajneri Josa ka mbetur i mrekulluar nga ato çfarë ka parë në videokaseta, duke i hapur kështu rrugën veshjes së tij kuqeblu.
Thuhet se drejtuesit shkodranë kanë biseduar me një nga familjarët e këtij futbollisti dhe tashmë gjërat duken në rrugë të mbarë. Dy malazezët mund të jenë kësisoj përforcime të rëndësishme të Vllaznisë në sezonin e ri.
Në anën tjetër sulmuesi i Vllaznisë do të ndiqet nga drejtuesit e klubit kroat. Armando Vajushi thuhet te jetë një hap larg Hajdukut të Splitit.
Sulmuesi 19-vjeçar shkodran Armand Vajushi mund të përfundojë tek Hajduku i Splitit. Të gjitha gjasat janë të ndodhë kështu, pasi drejtues të këtij klubi sot do të udhëtojnë drejt Austrisë për ta parë në miqësoren që do të luajë me kombëtaren Shpresa të vendit tonë ndaj Uzbekistanit.
Përveç kësaj, babai i futbollistit, që është duke kryer edhe rolin e menaxherit të tij, dje pasdite ka qenë në Kroaci, ku ka parë kushtet e klubit ku mund të përfundojë i biri dhe së bashku me drejtuesit e këtij klubi kanë udhëtuar më pas drejt Kroacisë.
Në këtë mënyrë, ka filluar me sa duket të marrë rrugë zgjidhja e enigmës se ku do të luajë Vajushi në sezonin e ri futbollistik. Përmendja e shumë emrave të skuadrave të njohura në Europë duket se e kanë çorientuar paksa edhe vetë këtë lojtar të ri, i cili duket se ka dëshirë t’i japë fund kësaj dileme dhe të firmosë një kontratë.
Preferencat e tij kryesore janë Holanda, që është njëkohësisht edhe ëndrra e tij e madhe, dhe më pas Kroacia. Madje vetë ai është shprehur se mundësitë më të mëdha për të firmosur kontratën e parë jashtë vendit janë për këtë vend të Ballkanit.
Babai i futbollistit dje ka udhëtuar nga Shkodra drejt Malit të Zi, ku është bashkuar me ish trajnerin e Vllaznisë, Mojash Radonjiç, që po bën një punë të madhe për transferimin e këtij lojtari dhe së bashku ata kanë udhëtuar drejt Kroacisë.
Atje i kanë pritur menaxherët spanjollë që po interesohen për sistemimin e këtij futbollisti në një klub të rëndësishëm. Të gjithë së bashku thuhet të kenë qenë mysafirë në klubin e Hajdukut.
Friday, 27 May 2011 13:13