Shqiptari i Palermos, Pajtim Kasami, në sezonin e ardhshëm mund të luajë të skuadra e Brescias.
Brescia, e cila sezonin e ardhshëm do të luajë një kategori më poshtë, ka shprehur interesim për 18-vjeçarin me nënshtetësi zvicerane.
Oferta e dallëndysheve nuk është bërë ende publike, por Kasami ka kontratë me Palermon deri në vitin 2015.
Edhe skuadra spanjolle Sevilla ka hyrë në garë për të transferuar talentin shqiptar të Bazelit, Xherdan Shaqirin.
Sipas mediave spanjolle, Sevilla ka nisur të bëjë përpjekjet e veta që në klub të sjellë mesfushorin shqiptar me nënshtetësi zvicerane.
Sevilla do të jetë në luftë me Borusia Dortmundin, Juventusin, Bajern Munihun, për të marrë shërbimet e kosovarit, i cili me ekipin e Bazelit ka kontratë deri në vitin 2014.
Drejtuesit e skuadrës së Bazelit për Shaqirin kërkojnë 9 milionë euro. Kosovari me ekipin zviceran sapo ka fituar titullin e kampionit në Zvicër.
Në anën tjetër, Turbine Potsdam, ku luan Fatmire Bajramaj, ka pësuar humbje me rezultat 2:0 nga Lyon, në finalen e Ligës së Kampionëve, në konkurrencën e femrave, e cila është zhvilluar të enjten mbrëma në Londër.
Golat për ekipin francez i shënuan Renard, në minutën e 27-të dhe Dickenmann në minutën e 85-të.
Futbollistja kosovare luajti gjatë gjithë ndeshjes për ekipin gjerman, i cili vitin e kaluar e pati fituar këtë trofe.
Njëherësh, kjo ishte ndeshja e fundit e Bajramit me Turbine Potsdam, pasi nga edicioni i ardhshëm ajo do të luajë për Frankfurtin.
Friday, 27 May 2011 09:36