Tiranë – Nën moton “Sporti nuk njeh barriera”, Lojërat Olimpike Speciale vijnë për të 4-ën herë në Shqipëri.
Lojërat Olimpike Speciale këtë vit do të kenë pjesëmarrje të gjerë, ku 300 sportistë do të garojnë në disiplina të ndryshme në qendrën “Don Bosko”. Ata do t’i bashkohen mbi 2.200.000 atletëve të tjerë, që janë pjesë e kësaj iniciative olimpike globale.
E veçanta e këtij viti për atletët me aftësi speciale është se, në sajë të mbështetjes financiare të Fondacionit Vodafone Albania, një delegacion i tyre do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike Speciale Ndërkombëtare, që do të zhvillohen në Athinë
Sot, në ditën e parë të Lojërave Olimpike Speciale, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit dhe shpalli fillimin e lojërave përmes ndezjes simbolike të Flakës Olimpike, e cila nisi rrugëtimin e saj prej Presidencës, për të vijuar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, sheshit “Skënderbej”, rrugës së Durrësit dhe në fund të “shtegtimit” të saj, Flaka Olimpike do të mbërrijë pranë Qendrës Sociale “Don Bosco”, ku do të fillojnë garat.
Aktiviteti u përshëndet edhe nga presidenti i Olimpikut Special në Shqipëri, komentatori dhe gazetari i njohur sportiv, Ismet Bellova, i cili vuri në dukje arritjet e deritanishme të Olimpikut Special. “Gjatë këtyre katër viteve kemi fituar medalje, kemi fituar shumë miq, duke filluar nga Presidenti Topi, tek Vodafone, FSHF, MTKRS. Por të gjithë këta janë pak dhe nevojiten më shumë për të shkuar aty ku duhet”, tha Bellova.
Sipas tij, “bota është shumë përpara në këtë drejtim, ndërsa jemi ende larg, por optimizmi na bën që ta hedhim shikimin larg dhe përpara”.
Qëllimi themelor i Lojërave Olimpike Speciale është thyerja e pengesave ndërmjet individëve me dhe pa aftësi speciale, përmes integrimit të tyre në aktivitete të përbashkëta sportive.
Gjatë katër viteve është punuar me kujdes të veçantë për personat me aftësi speciale, dhe ka pasur bashkëpunim të ngushtë mes organizatave dhe institucioneve si: Olimpiku Special Shqiptar, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Qendra Sociale “Don Bosco”, duke pasur një rrjet të gjerë vullnetarësh, bashkëpunëtorësh dhe aktivistësh të shoqërisë civile.
Monday, 23 May 2011 14:37