Kapiteni legjendar i Romës, Francesko Totti, ka urdhëruar lojtarët të mposhtin Interin në takimin e dytë gjysmëfinal në Kupën e Italisë.
Totti ende e vuan dënimin që e kishte marrë në takim pikërisht kundër Interit në finalen e Kupës Italiane, vitin e kaluar, kur e shqelmoi Balotelin.
Totti ishte dënuar me katër ndeshje pezullim dhe nuk do të mund të luajë deri në finalen e mundshme, nëse Roma kualifikohet.
“Vërtet turp të jem i dënuar në këtë fazë kaq të rëndësishme. Kam kërkuar që të jem aty në fushë, por episodi i ndodhur vitin e kaluar do të thotë se unë duhet ta vuaj dënimin”, tha Totti për SkySport 24.
“Por unë shpresoj se Roma mund të arrijë në finale”.
Më pas “Er Pupone” foli edhe për mundësinë që Roma të marr vendin e katërt në tabelë duke deklaruar se gjasat ende ekzistojnë.
“Kampionati është i hapur ende. Kemi dy ndeshje deri në fund dhe jemi dy pikë prapa Udineses. Do të jetë vështirë por nuk dorëzohemi”, përfundoi ai.
“Giallorosët” sot kanë udhëtuar në San Siro për takimin kthyes kundër Interit. Takimin e parë Roma e humbi në shtëpi 1-0.
Wednesday, 11 May 2011 18:06