Suksesi i parë i “Kavaljerit” është me Sakin në 1988-ën, pastaj vjen Kapelo, Zakeroni, Ançeloti dhe Alegri.
Milani ka fituar të shtunën titullin e 18-të. Është i 8-ti i epokës Berlusconi. Presidenti kuqezi, është shndërruar tashmë në një koleksionues titujsh pak vite pas marrjes së drejtimit të presidencës e deri më tani. Le t’i shohim me radhë 7-të të tjerët.
1987 88 – I pari me Arrigo Sakin, i caktuar nga vetë “Kavaljeri”. Është njeriu “i revolucionit të ri”, i presingut, i zonës, i fitimit të hapësirave. Milani shet Hatelein dhe Uillkins (anglezë) dhe merr holandezët Gulit e Van Basten. Por “edhe” para së gjithash, Ançelotin dhe Kolombon. Dhe menjëherë është sfidë me Napolin e Maradonës.
Polemika, spektakël dhe ndjekje. Ndeshja e rokadës është më 3 janar 1988, takimi i parë direkt: 4-1. Milani i dyti, i udhëhequr nga Gulit (Van Basten vetëm 11 ndeshje) dhe Barezi nuk humb më. Më 1 maj 1988, në “San Paolo”, në sfidën e sfidave, vjen parakalimi kryevepër me titullin e 11-të në histori.
I pari i Berluskonit, me festën në Komo.
1991 92 Vjen Fabio Kapelo, Saki bëhet trajner i kombëtares. Milani shkëputet thuajse menjëherë, del në krye, është kampion i dimrit. Van Basteni është i pa-rezistueshëm dhe golashënues (25 gola). Lind legjenda e “Të pathyeshmëve”.
Shumë gola dhe zbavitje, zero humbje. 5-0 ndaj Napolit, 5-1 ndaj Sampit, kampioni në fuqi. Ançeloti luan ndeshjen e tij të fundit në “San Siro” dhe i shënon dy gola Veronës. Në Foxhia vjen lamtumira nga futbolli e Karletos me një fitore historike 8-2.
1992 93 – Vera e merkatos i dedikohet Xhixhi Lentinit, i marrë nga Torino. Blerje të tjera të shkëlqyera: Saviçeviç e Boban, Papin e Eranio. Është debutimi i “organikës së zgjeruar”: rotacion lojtarësh. Milani menjëherë “arratiset” sipas parashikimeve. Në javën e dytë fiton në Peskarë 5-4: golin e parë e shënon Masimiliano Alegri (atëherë te Peskara).
I madhi Van Basten ndalon (probleme në kavilje në javën e 13-të. Sërish kampionë të dimrit. Interi e ndjek dhe përpiqet. Ndeshje të pabesueshme (7-3 në Firence), javë të paharrueshme. Rekordi i pathyeshmërisë (58-të javë) dhe ndalon në “San Siro” kundër Parmës, gol i kolumbianit Tino Asprilia.
Titulli i 13-të. Van Basten rikthehet në fund të sezonit, pas thuajse pesë muajsh dhe shënon golin e tij të fundit ndaj Ankonës.
1993 94 – Pa Rajkardin, Gulitin, Van Bastenin e Evanin, që lë futbollin pas 13 vitesh. Lentini jashtë thuajse gjatë gjithë sezonit për një incident me makinë.
Shpërthejnë Boban e Saviçeviç, ka hapësirë për Simonen. Vijnë Laudrup, Raduçiou e Panuçi. Në vjeshtë largohet edhe francezi Dezaji. Titulli i tretë radhazi i Kapelos është ai i parakalimit ndaj Interit.
Sebastiano Rosi arrin një rekord pathyeshmërie në portë në Serinë A: 929 minuta. Në “San Siro” lojtarët festojnë me tifozët.
1995 96 – Fytyra të reja, kampionë fantastikë. Vjen Xhorxh Ueah e Roberto Baxhio. Debuton Masimo Ambrozini. Nisja me 4 fitore. Pastaj, pas suksesit kundër Juves (java e 6-të), fillon “arratia”. Nuk kapet më: feston në javën e tretë nga fundi, në “San Siro” kundër Fiorentinës (3-1). Mbyllja në fund me 7 gola ndaj Kremonezes.
Kapelo, 4 tituj në 5 vjet, celebrohet si trajner-menaxher: drejton me një aftësi të jashtëzakonshme, klubin më të madh futbollistik në botë. Berluskoni nuk arrin ta mbajë ama. Shkon te Real Madridi, triumfon edhe në Spanjë.
1998 99 – Kapelo-Bis zëvendësohet nga Alberto Zakeroni. Vjen nga Udinezja së bashku me qendërsulmuesin gjerman Bierhof (19 gola, 15 me kokë) dhe me mbrojtësin-mesfushor danez Helveg. Milani jashtë Europës synon vetëm kampionatin.
Zak-u që nuk lidhet shumë me Berluskonin dhe Bobanin (pastaj vendimtar), ndryshon shumë në portë: Lehman, Rosi dhe pastaj Abiati, që bëhet titullar dhe pastaj protagonist. Duel i madh me Lacion e Eriksonit. Vazhdimësia e rezultateve është e shkëlqyer.
Spikat i riu Sala, befason argjentinasi Gulieminpietro, shkëlqejnë Ueah e Leonardo. Fitojnë 7-të ndeshjet e fundit, kalojnë Lacion në javën e 33-të, fitojnë në Peruxhia dhe festojnë titullin e 16-të.
2003 04 – Milan kampion i Evropës (dhe i Kupës së Italisë) me Kafunë dhe Pankaron nga krahët. Por goditja e madhe është Kaka, 21 vjeç. Braziliani përfshihet mirë në grupin fantastik të Ançelotit. Milani është menjëherë protagonist.
E vetmja rënie vjen pas transfertës në Yokohamë, e humbur me penallti ndaj Boka Xhuniors në Kupën Interkontinentale. Më 6 janar fiton në “Olimpiko” ndaj Romës dhe del në krye. Faza e dytë është një ecuri triumfuese: magji, rekord e spektakël me Pirlon në zemër të lojës. Titulli vjen dy javë para fundit të kampionatit. Ançeloti e mund sërish Romën e Kapelos.
Tuesday, 10 May 2011 16:09