Tiranë – Barcelona është skuadra e parë finaliste e Ligës së Kampionëve 2010-2011. Katalanasit sigurojnë biletën për në “Uembli” falë barazimit 1-1 në gjysmëfinalen e kthimit ndaj Realit të Madridit në “Kamp Nou”, pas suksesit 2-0 në “Bernabeu”.
Kësaj here nuk mund të bëjë asgjë Hoze Mourinjo, i cili, sezonin e shkuar, nën drejtimin e Interit, arriti të eliminojë pikërisht në gjysmëfinale skuadrën e Guardiolës. Në sfidën e mbrëmshme, tekniku portugez, i skualifikuar (e ndoqi ndeshjen nga hoteli), hodhi në fushë një Real shumë herë më të mirë se ai i takimit të parë.
Por Barcelona konfirmohet si më e forta dhe pas një pjese të parë praktikisht të dominuar, gjen epërsinë me Pedron në të dytën. Kundërpërgjigjet Marselo për madrilenët, por nuk mjafton.
Sërish protesta nga ana e Madridit për disa vendime të gjyqtarit (megjithëse kësaj here nuk pati kartonë të kuq). Mbi të gjitha, goli i anuluar pa të drejtë i Higuainit në fillim të pjesës së dytë.
Në fund ka vend për duartrokitjet dhe brohoritjet e ngrohta nga ana e tifozëve katalanas ndaj Abidalit, që rikthehet në fushë 46 ditë pas operacionit delikat kundër tumorit në mëlçi. Mbrojtësi francez merr vendin e kapitenit Pujol në minutën e fundit të kohës së rregullt dhe përqafohet e hidhet në krahë nga e gjithë skuadra pas ndeshjes. Festë e madhe për Barçën, që siguron të tretën finale të Championsit në gjashtë vitet e fundit (të shtatën në historinë e vet).
Në finalen e madhe të “Uemblit” Barcelona me shumë mundësi, do të gjejë përballë Mançester Junajtid (që në gjysmëfinalen e parë ka fituar 2-0 në fushën e Shalkes).
Wednesday, 04 May 2011 07:14