Reali i Madridit dhe Barcelona do të takohen të mërkurën mbrëma për herë të katërt në mes vete këtë sezon.
Gjigantët spanjollë do t’i masin forcat në kuadër të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve, në “Santiago Bernabeu.”
Deri tash, skuadrat e kanë fituar nga një ndeshje për kokë, ndërsa kanë barazuar në një tjetër, por, brenda sfidës së rivalëve të përbetuar, gjendet edhe një sfidë tjetër, ajo e Cristiano Ronaldo VS Lionel Messi.
Në ndeshjen e parë, më 29 nëntor të vitit që shkoi argjentinasi ishte më i suksesshëm, pasi dhuronte dy asistime, në fitoren 5-0. Në të dytën, më 16 prill, të dy lojtarët shënuan nga një gol nga penalltia, në barazimin 1-1.
Kurse, 4 ditë më vonë, respektivisht më 20 prill, ylli portugez ishte më i suksesshëm, pasi që e shënoi golin e fitores, në finale të “Copa del Rey”.
Pra, njëjtë si Barça e Reali, edhe beteja direkt Ronaldo-Messi momentalisht është e barabartë. Eh, kush do ta fitojë rundin e katërt, kjo do të dihet të mërkurën mbrëma, pas orës 22:30.
Tuesday, 26 April 2011 06:52