Tiranë – Vendi i zhvillimit të takimit të kombëtares shqiptare në eliminatoret e Euro 2012 ndaj Rumanisë në 11 tetor, është shndërruar në një çështje të vërtetë, jo vetëm për Federatën Shqiptare të Futbollit, por edhe për tifozët shqiptarë në Kosovë dhe Maqedoni.
Pas Federatës së Kosovës dhe tifozëve kosovarë që shprehën gatishmërinë e tyre për të pritur kombëtaren në Prishtinë në rast se në tetor do të ketë filluar ndërtimi i stadiumit të ri në Tiranë, tashmë edhe tifozët shqiptarë që jetojnë në Maqedoni duan të shohin nga afër kombëtaren kuqezi.
Stadiumi “Qemal Stafa” pritet të prishet pas ndeshjes me Francën dhe FSHF është duke kërkuar vendin ku do të luhet në tetor ndeshja me Rumaninë. Lëvizja qytetare “Zgjohu” i ka bërë një kërkesë publike kreut të FSHF-së, Armando Duka, që kjo ndeshje të luhet në qytetin e Shkupit.
Stadiumi “Filipi i Dytë” mund të merret në përdorim, sigurisht pasi të jetë marrë leja nga Federata e Futbollit të Maqedonisë, në mënyrë që Shqipëria të luajë në kryeqytetin maqedonas ku një përqindje të madhe të popullsisë e bëjnë shqiptarët. Stadiumi në Shkup plotëson të gjitha kriteret që kërkon FIFA e UEFA si dhe mundëson 35.000 tifozë.
Lëvizja qytetare “Zgjohu”, tradicionalisht ndihmon tifozët shqiptare nga Shkupi për t’i ndjekur ndeshjet e kombëtarës në Tiranë, Korçë, Shkodër dhe kudo që luan kombëtarja jonë.
Tifozët nga Shkupi përgatitën flamurin e parë gjigand kombëtar me përmasa 50×10 metra si dhe koreografinë “JEMI NJË” në ndeshjen me Bosnjën.
Monday, 25 April 2011 17:50