Shkodë – Një iniciativë e Universitetit të Sporteve të Tiranës, e përkrahur edhe nga Ministria Turizmit, Kultures, Rinisë e Sporteve dhe e mbështetur personalisht nga Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, risolli në vemendje “Universiadën Sportive”, një aktivitet i cili mungonte prej 23 vjetesh në vendin tonë. Njëri nga tre qytetet që ka marrë përsipër organizimin e aktiviteteve të fazës së parë, ka qënë edhe ai i Shkodrës, garat e të cilit filluan në orët e pasdites së sotme.
Veprimtaria ka nisur me një ceremoni zyrtare në pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”, ku 8 ekipet pjesëmarrëse, përfaqësues të universiteteve shqiptare, janë përshëndetur nga stafi organizativ, koordinatori i këtij aktiviteti, Artan Pogoni, përfaqësues i Universitetit të Sporteve të Tiranës dhe Vjollca Medja, shefe e Departamentit të Edukimit Fizik pranë Fakultetit të Shkencave të Edukimit në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Më pas u zhvilluan ndeshjet e volejbollit, të cilat janë zhvilluar sipas kalendarit të hartuar nga organizatorët, për meshkuj në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe për femra në palestrën e Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
Në një prononcim për ATSH-në, Artan Pogoni, koordinatori i Universiadës, tha se “rikthimi i emocioneve të një garë të tillë masive me pjesëmarrjen e studentëve të Shqipërisë, konsiderohet mjaft i rëndësishëm për jetën kulturore-sportive të studentëve shqiptarë”.
Sipas tij, ky aktivitet pas konkurimit të fazës së parë në tre qytete, Shkodër, Elbasan dhe Korçë, do të ketë finalet e tij në kryeqytetin shqiptar pas pak ditësh.
Wednesday, 20 April 2011 07:42