Tiranë – Mesfushori i kombëtares shqiptare dhe i klubit të Gallatasarait në Turqi, Lorik Cana, gjithnjë e më tepër është shndërruar në një personazh merkatoje midis Turqisë, Anglisë, Gjermanisë dhe Italisë.
Sipas mediave turke, tashmë në garë për të siguruar shërbimet e Canës, është futur edhe ekipi i Totenhemit në Premier Ligën angleze.
Trajneri Herri Redknap e njeh mirë Canën, pasi e ka parë atë kur luante me Sandërlendin një sezon më parë. Në Angli, përveç Totenhemit, janë të interesuara për Canën edhe klubet e Everton, Fulham dhe Aston Vila e Zherard Hulierit.
Për Canën është folur mjaft edhe për interesimin e disa klubeve kryesore italiane, si Lacio, Milan e Inter, me romanët që deri një javë më parë ishin pretendentët kryesorë për të afruar shtatlartin kuq e zi, por një mospërputhje mes kërkesës së klubit turk të Gallatasarait dhe ofertës së Lacios, si edhe paga e madhe që përfiton Cana, duket se kanë qenë pengesa që deri tani ende nuk janë zgjidhur.
Flitet për një ofertë rreth 8 milion euro, ndërkohë që diferenca mes kërkesës së Gallatasarait dhe ofertës së Lacios duket se është rreth 800 mijë euro.
Lazio ofroi 5 milionë euro edhe në muajin janar, por Gallatasarai e hodhi poshtë, ndërkohë që klubi turk nuk pranoi edhe 6 milionë eurot e ofruar nga klubi anglez Fulham.
Vlera e yllit të kombëtares shqiptare është rritur ndjeshëm nga gjigandi turk Gallatasari, pasi për të interesohen shumë klube elitare, ajo ka shkuar 8-10 milionë euro.
Interesim për Lorik Canen kanë treguar edhe Hamburg dhe Shtutgart në Gjermani.
Tuesday, 19 April 2011 12:44